Botë
Digjet trageti i linjës Greqi-Itali, sa të zhdukur dhe të shpëtuar pas identifikimit
18.02.2022 16:44
Trageti i linjës Greqi-Itali është përfshirë nga flakët e zjarrit në mes të detit Jon, në veri të ishullit të Korfuzit...

Trageti i linjës Greqi-Itali është përfshirë nga flakët e zjarrit në mes të detit Jon, në veri të ishullit të Korfuzit. Në bordin e tragetit ndodheshin 290 persona, nga të cilët 239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit, si dhe 25 makina dhe 153 kamionë.
Mediat greke raportojnë për së paku dhjetra pasagjer të zhdukur. Por ka mendime se është e mundur që ata edhe të mos kishin qenë fare në target. Autoritetet greke thonë se numri i saktë i të zhdukurve dhe i të shpëtuarve do të dihet pasi të mbarojë procesi i identifikimit. Shkaku i rënies së zjarrit nuk është i qartë dhe pritet hetimi i autoriteteve për të zbardhur ngjarjen.
Dëshmitarët okular thonë se zjarri në traget ra në pjesën e garazhdit të automjeteve duke shkaktuar alarm dhe panik tek udhëtarët, pjesa më e madhe e të cilëve ishin italianë. Menjëherë u dha alarmi për zjarr në bord dhe pothuajse të gjithë udhëtarët hipën në varkat e shpëtimit. Njëri nga pasagjerët ka shfaqur probleme me frymëmarrjen dhe u transportua në Spitalin e Korfuzit. Në ndihmë për shuarjen e flakëve janë angazhuar edhe dy anije të shtetit shqiptar.
Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë Niko Peleshi shkruan në Facebook se trageti ka qenë jashtë ujërave të Shqipërisë kur u përfshi nga flakët, por operacioni për shuarjen e zjarrit zhvillohet në ujërat territoriale të Shqipërisë.
“Dy anijet të Forcës Detare shqiptare i janë bashkuar përpjekjeve për shuarjen zjarrit në tragetin e linjës Brindizi-Gumenicë të përfshirë nga flakët mbrëmjen e djeshme në det. Fillimisht zjarri ka rënë jashtë ujërave tona territorial, por tashmë operacioni po kryhet në ujërat tona territorial, 5 milje larg Porto Palermos. Në operacionin që po drejtohet nga pala greke janë angazhuar edhe anijet e Forcës sonë Detare, Butrinti dhe ajo patrulluese R-117. Më herët pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit janë evakuuar nga anija”, shkruan në facebook Peleshi.
Përveç anijeve shqiptare për shuarjen e zjarrit kontribojnë edhe disa anije shpëtuese greke dhe italiane, si dhe helikopter.
BELINDA KOKA ADEMI
