Formula 1

1 vit nga aksidenti Schumacher jep sinjale

28.12.2014 15:23

Mbushet plot një vit që nga ajo mesditë e zezë e 28 dhjetorit 2013 kur Michael Shumacher mbylli sytë në gjendje vegjetative për të mbledhur rreth tij gjithë botën e sportit dhe jo vetëm...

Ish 7 herë kampioni i Formula 1 ka luftuar gjatë çdo dite të këtij viti për të qëndruar mes njerëzve që e duan dhe kujdesen për të.
 
Ditë pas dite hapat janë të vegjël por në gjendjen e tij shëndetësore mbizotëron pasiguria sepse gjermani iu nënshtrua dy operacioneve në kokë pas atij incidenti në pistën e skive në Meribel të Francës.
 
Gjithsesi një rreze shprese ka sepse Schumi qan dhe ky është një sinjal pozitiv.
 
Detajin interesant e bëjnë të ditur mediat vendase dhe ato italiane, sipas të cilave, ai preket kur dëgjon zërin e fëmijëve, bashkëshortes apo miqve.
 
Më në fund, të afërmit kanë arritur të zbulojnë një gjest korrespondence me kampionin, i cili po jep maksimumin në këtë betejë, më të vështirën e jetës së tij.
 
Askush nuk po dorëzohet dhe aq më pak Schumi. Të dhëna të sakta për një prognozë apo parashikim nuk ka, ajo ç'ka dimë është se ish piloti i Ferrarit po asistohet nga një ekip i përgatitur mjekësh për ta kaluar edhe këtë pengesë.
 
Familja e tij po e pret, ashtu si edhe tifozët dhe e gjithë bota.