Rritja e pagave në arsim, vazhdon përplasja LSDM-VMRO-DPMNE
Vazhdojnë përplasjet mes LSDM -së dhe VMRO-DPMNE-së....

Vazhdojnë përplasjet mes LSDM -së dhe VMRO-DPMNE-së për pagat në arsim. Nga LSDM akuzojnë se përderisa pushteti po i rrit pagat dhe punon në rritjen e pensioneve në kohë të krizës, VMRO-DPMNE po bllokon këtë process dhe bën çmos të pengohet rritja e pagave të arsimtarëve.
Nga LSDM thonë se këto bllokime në Kuvend nuk do ti lejojnë.
“LSDM po tregon se çka do të thotë pushtet me përgjegjësi,ndërsa VMRO-DPMNE sillet në mënyrë destruktive. Kjo më se qartë shihet në Kuvend ku me muaj VMRO-DPMNE bllokon Ligjin për paga më të larta të 27 mijë arsimtarëve. Vmro-DPMNE ishte edhe kundër rritjes së pagës minimale dhe kryetarët e tyre të komunave nuk ndërmorrën asgjë për mbrojtjen e qytetarëve nga kriza energjetike” – tha Bogdanka Kuzevska nga LSDM.
Ndërkohë nga VMRO-DPMNE akuzojnë LSDM-në dhe BDI-në, se po manipulojnë popullin sa i përket pagave në arsim dhe me këtë po mundohen që të sjellin ligj të dëmshëm i cili ka si pasojë thellimin e partizimit në procesin arsimor.
“Të rrejshme janë tensionet e deputetëve të shumicës parlamentare të cilët më kot mundohen të mbrojnë këtë ligj të dëmshëm. Me këtë ligj pagat e puntorëve në arsim nuk do të rriten ky ligj ka për qëllim partizimin e arsimit. Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit nuk do të lejojë sjelljen e një ligji të dëmshëm për procesin arsimorë dhe partizimin e tërësishëm të arsimit” – tha Ivanka Vasilevska nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë pas rritjes së pagës minimale në vend Sindikata e Arsimit dhe Shkencës ka kërkaur rritje të pagave të mësimdhënësve, në të kundërtën kërcënohen me grevë. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
