Bisedimet me Sofjen dhe partitë politike, Ruzhin: Duhet unitet, ndasitë dëmtojnë procesin
Raporti mes subjekteve politike....

Raporti mes subjekteve politike dhe komunikimi i tyre brenda shtetit është pasqyra që reflektohet në politikën e jashtme, thotë ish ambasadori, Nano Ruzhin, duke komentuar këtë rol edhe në bisedimet me Bullgarinë.
Ai potencon nevojën për unitet mes partive politike dhe bën thirrje që t’ju shmangen përçarjeve të brendshme dhe retorikave boshe që nuk i shërbejnë kauzën kombëtare.
Bllokimi i parlamentit, ofendimet permanente, niveli i ulët i shprehjes, fjalori i keq, janë pjesë e kulturës politike që ndikon në rrafshin ndërkombëtar, thekson, Ruzhin.
“Ajo që ndodh në politikën e brendshme ka efekt adekuat edhe në politikën e jashtme. Në kushte kur zhvillohen bisedime, siç janë bisedimet dypalëshe mes RMV-së dhe Bullgarisë, duhet patjetër që forcat e brendshme, elita intelektuale, partitë politike, të mbahen pas një platforme të përbashkët dhe të kenë qëndrime të përbashkëta, apo të përafërta në raport me një çështje të caktuar. Secila ndasi, josolidaritet, përçarje e brendshme, polarizim politik, dobëson pozicionin e palës tonë në bisedime. Është me rëndësi së paku, të ketë një nivel të vogël të unitetit mes subjekteve politike” – tha ish ambasadori Nano Ruzhin.
Në raport me bisedimet me Sofjen, partitë maqedonase kohëve të fundit janë përplasur dukshëm lidhur me kontestin me fqiun lindor, sidomos pas deklaratës së VMRO-DPMNE-së për figurën e Goce Dellçevit, të cilët kërkojnë nga partitë tjera politike t’a mbështesin.
Kreu i qeverisë Dimitar Kovaçevski ka deklaruar se VMRO-DPMNE mund të ndihmojë në procesin e bisedimeve me Sofjen, por me metoda konstruktive, dhe jo me deklarata që kthejnë bisedimet prapa dhe nuk ndihmojnë në zgjidhjen e dallimeve mes dy vendeve. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
