VMRO dhe LSDM përplasen për interesat kombëtare të vendit
Interesat nacionale të vendit....

Interesat nacionale të vendit, mbrojtja e gjuhës dhe gjithçka që është maqedonase, kanë qenë shkas për përplasje të reja në mes pozitës dhe opozitës maqedonase.
Për VMRO-DPMNE, me refuzimin e unitetit kombëtar, tregtari siç thonë nga kjo parti, Kovaçevski, po humbet mundësinë që njëzëri të betonojnë pozitat e tyre për mbrojtjen e vijave të identitetit kombëtar.
“Për pasuesin e verbër të Zaevit, Kovaçevski, tregu është në vend të parë në vend të ruajtjes së vlerave kombëtare. Tregtari Kovaçevski kundërshton mundësinë e unitetit kombëtar për çështjen me Bullgarinë. Duke refuzuar të japë dorën për unitet kombëtar, do të thotë vetëm një gjë, se tregtari Kovaçevski, në vend që të jetë në koalicion me popullin dhe në anën e interesave shtetërore dhe kombëtare, është në koalicion me Bullgarinë dhe vazhdon të jetë një ndjekës dhe avokat i verbër i Zaevizmit. Në tryezën me Bullgarinë, Kovaçevski ofron gjuhën maqedonase, historinë dhe ekzistencën e popullit maqedonas në kuptimin dhe kontekstin historik dhe politik. VMRO-DPMNE përsëri zgjat dorën dhe lë dyert e hapura për bashkim kombëtar dhe bashkim për mbrojtjen e interesave kombëtare, mbrojtjen e gjuhës maqedonase dhe veçantisë” – thonë nga VMRO-DPMNE.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi nga LSDM-ja, ku sipas kësaj partie nëse Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE duan konstruktivitet të vërtetë, le të ndalojnë pengesat dhe krijimin e histerisë për bisedimet me Bullgarinë.
“Nëse Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE duan konstruktivitet të vërtetë, le të ndalojnë pengesat dhe krijimin e histerisë për bisedimet me Bullgarinë, por le të përpiqemi të gjithë t'i kalojmë pengesat me kokë të ftohtë. Gjithçka tjetër është vetëm teatër politik i përditshëm i Mickoskit, një përpjekje e dëshpëruar për të mbuluar turpin e rrëfimeve të bashkëpartiakëve të tij në rastin Titaniku” – pohuan nga LSDM.
Këto përplasje vijnë pikërishtë tani, kur së shpejti pritet një zgjidhje eventuale me çështjen e pa zgjidhur me Bullgarinë. (Fitim Kryeziu, TVM2)
