Osmani: Serbia të trajtohet si shtet që nuk bazohet në vlerat evropiane

20.02.2022 18:46

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.....

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Serbia duhet të trajtohet si “shteti që nuk bazohet në vlerat evropiane”.

Gjatë një tryeze të organizuar në Konferencën për Siguri në Mynih, Osmani tha se ndikimi i Rusisë përmes Serbisë është evident. Sipas Osmanit, Kosova po përballet me një shtet “fqinj agresiv dhe destabilizues”.

Sipas njoftimit, Osmani tha se është e nevojshme për një përpjekje të bashkërenduar të bashkësisë ndërkombëtare në raport me situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë tryezë, ku u diskutua për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, ku mori pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, presidentja Osmani tha se Kosova është e angazhuar në procesin e dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe se në këtë proces, sipas saj, Prishtina ka dëshmuar konstruktivitet.

Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun në vitin 2011, por që nga korriku i vitit 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si bartës të dialogut, nuk kanë zhvilluar asnjë takim.