Infektimet nga Covid 19 shënojnë rënie në vendin tonë
Ka filluar të shënojë rënie numri i të infektuarve nga Covid 19....

Ka filluar të shënojë rënie numri i të infektuarve nga Covid 19, dhe variantet e tij. Megjithëse ëashtë herët të flitet për përfundim të pandemisë, qytetarët e vendit duhet të kenë kujdes dhe të respektojnë masat.
Autoritetet shëndetësorë vlerësojnë se piku i valës së katërt është në rënie dhe se situata epidemiologjike po përmirësohet dalëngadalë. Megjithatë, për lehtësimin e mundshëm të masave mbrojtëse, do të priten rezultatet e ekzaminimit serrologjik.
Numri i rasteve aktive me Covid-19 është 7.595.
Në 24 orët e fundit janë kryer 3974 testime, janë regjistruar 668 raste të reja si dhe 81 riinfeksione. Janë shëruar 887, ndërsa janë raportuar shtatë vdekje, të gjitha me sëmundje shoqëruese.
Sipas buletinit të fundit të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, deri më tani në vend janë kryer 1.870.093 testime. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Covid që nga fillimi i epidemisë arrin 293.328, numri i të shëruarve 276.835, ndërsa numri i të vdekurve është 8.898.
Lehtësim të masave po regjistrohen në shumë shtete europiane dhe më gjërë. Gjermania po zgjeron listën pozitive për shtetet, qytetarët e të cilave do të jenë të lejuar të qëndrojnë në këtë vend.
Edhe Greqia i ka lehtësuar gradualisht masat që nga 19 shkurti i këtij viti. Lejohet qëndrimi në kafene dhe klube, në sektorin privat dhe publik zvogëlohet numri i të punësuarve që punojnë nga shtëpia, garat sportive do të zhvillohen me audiencë deri në 50 për qind të kapacitetit, si dhe lejohet organizimi i ekskursioneve shkollore.
Nga 1 marsi, Izraeli do të lejojë hyrjen për të gjithë turistët e huaj, pavarësisht nëse janë të vaksinuar kundër koronavirusit.
