OKB, Këshilli i Sigurimit takim urgjent për Ukrainën
Kombet e Bashkuara kanë thirrur takim urgjent...

Kombet e Bashkuara kanë thirrur takim urgjent në Këshillin e Sigurimit, pas thellimit të krizës në Ukrainë, përkatësisht pasi Rusia ka njohur pavarësinë e dy rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, dhe ka urdhëruar dërgimin e trupave ruse atje.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kritikuan ashpër Rusinë gjatë një sesioni urgjent të Këshillit të Sigurimit. Duke iu drejtuar seancës, ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield kundërshtoi pohimin e Putinit se trupat ruse do të merrnin një rol paqeruajtës në zonat Donetsk dhe Lugansk.
“Ai i quan ata paqeruajtës. Kjo është marrëzi. Ne e dimë se çfarë janë ata në të vërtetë”, ka thënë ambasadorja amerikane.
Ndërsa ambasadori i Ukrainës, Sergiy Kyslytsya këmbënguli që kufijtë e vendit të tij mbeten “të pandryshueshëm” pavarësisht veprimeve të Rusisë.
Por ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya , sulmoi perëndimin për “nxitje” të Ukrainës drejt konfliktit dhe akuzoi kombet e tjera se nuk e kishin parasysh gjendjen në Donbass.
“Shumica prej jush nuk gjetën asnjë vend për afro katër milionë banorët e Donbasit. Kolegët tanë perëndimorë kanë grumbulluar pa turp armë në Ukrainë.” Ai tha se Rusia mbetet e hapur ndaj diplomacisë dhe këmbënguli se Ukraina është ende e detyruar nga marrëveshja e Minskut.
