Maqedoni
Kacarska: Qytetarëve t’u mundësohet të padisin nëse u cenohen liritë për mjedis të pastër
22.02.2022 15:20
Në Maqedoninë e Veriut qytetarët nuk mund të paraqesin ankesë nëse konsiderojnë se u janë shkelur liritë dhe të drejtat për mjedis të shëndetshëm....

Në Maqedoninë e Veriut qytetarët nuk mund të paraqesin ankesë nëse konsiderojnë se u janë shkelur liritë dhe të drejtat për mjedis të shëndetshëm. Kjo bie ndesh me çdo angazhim për promovimin e të drejtave dhe forcimin e kapaciteteve demokratike në një vend, theksoi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska. Sipas saj, urgjentisht duhet të intervenohet në kompetencat e Gjykatës Kushtetuese dhe t’u mundësohet qytetarëve që të ngrenë padi nëse konsiderojnë se u është cenuar e drejta për mjedis të pastër.
“Konstitucionalizmi në demokracitë e zhvilluara, por edhe në rajonin tonë nuk e njeh një pengesë të tillë dhe kjo zgjidhet përmes mundësisë së ankimit kushtetues, gjë që fatkeqësisht nuk parashikohet në Kushtetutën tonë. Prandaj, besoj se e drejta për një mjedis të shëndetshëm është një nga të drejtat e njeriut, e cila mund të jetë pikënisje për diskutimin dhe argumentimin për nevojën e paraqitjes së një padie kushtetuese, të cilën e mbroj fuqimisht e që do të zgjeronte kompetencat e Gjykatës.”,- deklaroi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska.
Sipas Kacarskës, mbrojtja e mjedisit është një temë që është bërë relevante ndërkombëtarisht në dekadat e fundit dhe përgjithësisht pranohet se të drejtat e njeriut dhe mjedisi janë të lidhura ngushtë. Këto deklarata kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrila Kacarska, i dha gjatë debatit me temë “Roli i Gjykatës Kushtetuese në mbrojtjen e të drejtës për mjedis të shëndetshëm”.
BELINDA KOKA ADEMI
