Botë

Suspendohen katër zyrtarë për lëshimet në rastin Gavriq

28.12.2014 16:55

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa Lirë, se ka suspenduar me pagesë katër punonjës kufitar të Policisë së Kosovës në Jarinjë...

Në mesin e të suspenduarve janë një rreshter dhe tre policë, ndërkaq të gjithë policët e suspenduar i takojnë komunitetit serb.

Zyrtarët e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë thënë të dielën se po hetohen të gjithë zyrtarët të cilët mund të kenë bërë lëshime në vend kalimet kufitare në veri të Kosovës, prej nga thuhet se ka hyrë në Republikën e Kosovës, shtetasi nga Serbia, Slobodan Gavriq.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, duke mos dashur të flas shumë për rastin, tha për Radion Evropa e Lirë, se "do të merren masa ndaj çdo zyrtari përgjegjës për lëshimet eventuale që mund të jenë barë në këtë rast”.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka kërkuar ngritjen e nivelit të sigurisë së përgjithshme në Kosovë dhe u ka bërë thirrje shteteve të rajonit, të bashkëpunojnë kundër rasteve të dyshuara terroriste.

Pas arrestimit në mbrëmjen e së enjtes të shtetasit nga Republika e Serbisë,Slobodan Gavriq, në veturën e të cilit janë gjetur 12.2 kilogramë eksploziv, Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë.