Maqedoni
Emërimi i gjykatësve, Kacarska: Në dhjetor mund të bllokohet kushtetuesja
22.02.2022 15:31
Kryetarja e gjykatës kushtetuese, Dobrilla Kacarska, ftoi kuvendin të zhbllokojë komisionin....

Kryetarja e gjykatës kushtetuese, Dobrilla Kacarska, ftoi kuvendin të zhbllokojë komisionin për emërime dhe të emërohen katër gjykatësit e kushtetueses. Kacarska tha se qasja e deritanishme e deputetëve është joserioze dhe nëse vazhdohet kështu në dhjetor mund të vijë deri tek bllokim i plotë i kushtetueses, pasi që atëherë edhe anëtares së pestë, Vangelina Markudova, i mbaron mandati.
“Deri në dhjetor ne do të mund të funksionojmë me pesë gjykatës, por më 8 dhjetor përfundon mandati gjykatëses, Vangelina Markudova, dhe kjo paraqet problem. Atëherë s’do mund aspak të funksionojmë, s’do mund të mbajmë seanca dhe konsideroj se me këtë do të dëmtohej përfundimisht imazhi I Maqedonisë së Veriut para opinionit ndërkombëtarë. Është joserioze që një periudhë të gjatë të mos zgjidhen gjykatësit.”,- tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska.
Komisioni është bllokuar tanimë 1 vit. Kacarska thotë se s’ka mundësi të ndikojë ndaj kuvendit, përpos informimit të kryeparlamentarit Xhaferi, gjë të cilën e ka bërë në prill, për mbarimin e mandatit të tre gjykatësve dhe në nëntor për përfundimin e mandatit të gjykatësit të katërt. Tanimë sipas Kacarskës i mbetet kuvendit që të tejkalojë këtë situatë pasi që sipas saj është joserioze që vetëm 5 anëtarë të vendosin për ankesat ndaj Marrëveshjes së Prespës dhe ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Micevski: Të caktohet seanca, të kompletohet kushtetuesja
Kryeparlamentari Talat Xhaferi të enjten do të deklarohet për thirrjen e seancës të cilën ditë më parë e kërkuan edhe deputetët e opozitës.
“Shumica parlamentare të tejkalojë veten, të ndërpresë akuzat e rrejshme se opozita bllokon kuvendin, le të caktojnë seancë. Shumica të dorëzojë propozimet për gjykatës, ndoshta edhe ne do të dorëzojmë propozime, të bisedojmë dhe të kompletojnë gjykatën kushtetuese. Ndërkaq kryetarja e gjykatës kushtetuese Kacarska t’u dorëzojë letër tjetër atyre që e bllokojnë zgjedhjen e gjykatësve.”,- theksoi deputeti i VMRO–DPMNE-së, Nikolla Micevski.
Edhe shumica deklarativisht është për zhbllokimin e komisionit, por që zëri i tyre mbetet i minorizuar pas kalimit të deputetit të Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli, në opozitë.
MERAL ISMAILI
