Maqedoni

Mehmedoviç: Ende është herët për heqjen e masave

22.02.2022 15:53

Ende është herët për heqjen e disa masave për mbrojtje nga Covid-19, tha zëdhënësi i KSI-së....

Ende është herët për heqjen e disa masave për mbrojtje nga Covid-19, tha zëdhënësi i Komisionit për Mbrojtje nga Sëmundjet Infektive, Zlate Mehmedovic. Sipas tij, përqindja e të vaksinuarve në vend është e ulët, ndaj heqja e çdo mase mund të sjellë përkeqësim të situatës epidemiologjike.
 
“Vaksinimi në vendin tonë është 41%. Bëhet fjalë për dy doza të marra. Ky nivel vaksinimi është shumë i ulët për të menduar për shfuqizimin e ndonjë prej masave që parandalojnë transmetimin e virusit. Ajo që u diskutua është se ne ende kemi transmetim të gjerë të virusit në nivel lokal dhe se heqja e masave aktuale, duke përfshirë certifikatat, mund të çojë në një përkeqësim të situatës epidemiologjike dhe mbingarkim të objekteve spitalore.” ,- deklaroi zëdhënësi i KSI-së, Zllate Mehmedoviq.
 
Nga 800 nxënës të testuar, 8 rezultuan pozitiv 
 
Mehmedoviç njëherit bëri të ditur se nga 800 fëmijë të testuar në shkolla, vetëm tetë kanë rezultuar pozitivë me Kovid-19. 
 
“Skriningu në shkolla nuk ka përfunduar ende. Interesimi ishte i madh. Rreth 5000 prindër kanë rënë dakord që t'i bëjnë fëmijët e tyre të testohen. Të dhënat fillestare tregojnë se në këtë moment nga 800 fëmijë të testuar, vetëm tetë janë regjistruar pozitiv.”,- theksoi zëdhënësi i KSI-së, Zllate Mehmedoviq.
 
KSI: Gratë shtatzëna të kthehen në punë
 
Zëdhënësi i Komisionit për Sëmundje Infektive theksoi se këtë javë ka një trend në rënie të të infektuarve në të gjitha grupmoshat, përfshirë atë të fëmijëve nga mosha gjashtë deri në 14 vjeç, në të cilin javën e kaluar ka pasur rritje të infektimeve.
 
Komisioni për Sëmundje Infektive ka rekomanduar edhe dy masa të reja, që kanë të bëjnë me heqjen e certifikatave për Covid-19 për shtetasit e Maqedonisë së Veriut që udhëtojnë jashtë shtetit dhe kthimin e grave shtatzëna në punë. 
 
“Komisioni për Sëmundje Infektive do t’i propozojë ministrit të shëndetësisë dhe më pas dhe Shtabit të Krizës që në vendkalimet kufitare në dalje nga shteti të mos kërkohet certifikatë vaksinimi apo PCR Test dhe masa e dytë që gratë shtatzëna të mos lirohen nga puna, por të vaksinohen dhe të vazhdojnë me punë.”,- theksoi zëdhënësi i KSI-së, Zllate Mehmedoviq.
 
Zëdhënësi i KSI-së, Zllate Mehmedoviq, sqaroi se sa i përket moskërkimit të certifikatave në kufi, kjo nuk do të ndikojë asgjë me rregullat që ka shteti ku qytetari dëshiron të udhëtojë.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI