Botë

Njohja e Donjeckut dhe Luganskit nga Rusia, Kovaçevski: E dënojmë vendimin!

22.02.2022 16:06

Kryeministri i shtetit, Dimitar Kovaçevski, e dënon vendimin e Federatës Ruse....

Kryeministri i shtetit, Dimitar Kovaçevski, e dënon vendimin e Federatës Ruse për njohjen e rajoneve të Donjeckut dhe Luganskit në Ukrainë si “Republika Kombëtare”. Ky akt, sipas tij, ka shkelur sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës, ndërsa thotë se RMV në këtë rast qëndron përkrah NATO-s dhe bën thirrje për zgjidhje të konfliktit përmes dialogut.
 
“E dënoj vendimin e Rusisë për njohjen e Donjeckut dhe Luganskit  si të vetëshpallura “Republika Kombëtare”. Ky akt është sulm i drejtpërdrejt mbi sovranitetin territorial dhe integritetin e Ukrainës dhe shkeljen e marrëveshjeve nga Minsku dhe vendimet e Këshillit të OKB-së nga viti 2015. Bashkë me aleatët e NATO-s, bëjmë thirrje për zgjidhje të konfliktit përmes rrugës demokratike.”,- deklaroi kryeministri i shtetit, Dimitar Kovaçevski.
 
Pendarovski: Jam përkrahës i sovranitetit të Ukrainës
 
Edhe shefi i shtetit Pendarovski, me përkrahje të fuqishme ndaj integritetit dhe sovranitetit territorial të Ukrainës.
 
“Rendi i bazuar në të drejtën ndërkombëtare është bazë e marrëdhënieve ndërkombëtare, principet e të cilave duhet të respektohen. Shkelja e rëndë e së drejtës  ndërkombëtare, është kërcënim për civilizimin.”,- tha presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski. 
 
Situata në Ukrainë, reagon ASh-ja: RMV t’i bashkohet Perëndimit
 
Edhe Aleanca për Shqiptarët dënon njohjen e Rusisë ndaj dy territoreve separatiste.  Fton RMV-në të qëndrojë  në anën e Perëndimit në situatën e Ukrainës.
 
“Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë dy vendet e vetme kandidate për BE-në nga Ballkani Perëndimor që bojkotojnë sanksionet e BE-së kundër Rusisë në lidhje me Ukrainën. I bëj thirrje Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që t’u bashkohet partnerëve tanë, BE-së dhe SHBA-së, për të reaguar me unitet, rreptësi dhe vendosmëri”. shkruan në facebook, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU