Pas njohjes së Donetskut dhe Luhanskut, Putini urdhëron hyrjen e trupave në Ukrainë

22.02.2022 16:19

Vetëm disa orë pasi njohu pavarësinë e rajoneve separatiste të Donetskut dhe Luhanskut....

Vetëm disa orë pasi njohu pavarësinë e rajoneve separatiste të Donetskut dhe Luhanskut, Putin ka urdhëruar trupat rusë të hyjnë në pjesën lindore të Ukrainës. Sipas presidentit rus, trupat do të kryejnë vetëm funksione paqeruajtëse, gjë që është e pakuptimtë për Amerikën.

Presidenti amerikan, Biden, menjëherë ka ndaluar qytetarët e saj të  investojnë në rajonet e shkëputura, sanksione kanë vendosur edhe Brukseli dhe Londra. Presidenti ukrainas, Zelensky, bëri thirrje për mbështetje të qartë nga Perëndimi.

“Ne jemi në tokën tonë. Nuk kemi frikë nga asgjë dhe askush. Ne nuk i detyrohemi askujt dhe nuk do t'i japim asgjë askujt. Nuk është shkurt 2014-ta, por shkurt 2022. Tani është një Ukrainë ndryshe.”,- tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Në mbledhjen urgjentë të Kombeve të Bashkuara pati debat të ashpër ku Perëndimi drejtoi akuza të rënda drejt Rusisë për shkelje të të drejtës ndërkombëtare dhe justifikim për të filluar luftë.

Sipas nenit 51 të hartës së OKB-së, Ukraina ka të drejtën e mbrojtjes  individuale dhe kolektive. Jemi të përkushtuar në rrugën e qetë dhe diplomatike, nuk kemi frikë nga askush.”,- theksoi ambasadori i Ukrainës në KB, Sergej Kislitsija.

“Ky është një sulm ndaj statusit të Ukrainës si anëtare e OKB-së. Shkel parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare. Lëvizja e presidentit Putin është një bazë e qartë për përpjekjet ruse për të krijuar një justifikim për pushtimin e mëtejshëm të Ukrainës.”,- tha ambasadorja e ShBA-së në KB, Linda Tomas Grinfild.

“Për fat të keq jemi të detyruar të vërejmë rolin negativ të kolegëve perëndimorë të udhëhequra nga SHBA, ku në vend që të detyrojnë Kievin që të realizojë detyrimet e tij, ata vazhdimisht përsërisin se Rusia nuk po e implementon Marrëveshjen e Minskut.”,- u shpreh ambasadori i Rusisë në KB, Vasil Nnebenzja.

Pasi Duma ka ratifikuar marrëveshjet e nënshkruara nga Putin, Ministria e Jashtme ruse ka bërë thirrje që shtet tjera të ndjekin shembullin për njohjen e pavarësisë të rajoneve të shkëputura. Në Donetsk dhe Luhansk, nga ana tjetër, festohet. Fishekzjarrë dhe flamuj rusë në rrugët e rajoneve separatiste.

“Jemi shumë të lumtur, këtë e kemi pritur për tetë vjet. Ky është qëndrimi ynë ndaj shtetit terrorist, Ukrainës. Tani që Rusia ka njohur pavarësinë tonë, mendoj se lufta do të përfundojë së shpejti.”,- theksoi banori i rajonit.

Në bursat botërore aksionet e kompanive ruse në mënyrë marramendëse janë duke shënuar ulje, ndërsa çmimi i naftës në mënyrë të vazhdueshme po rritet. Ekspertët paralajmërojnë fillimin e një krize të gjatë në lindje të Ukrainës. (Gazmend Kurtishi, TVM2)