Maqedoni
Kuvendi diskuton pagën minimale
22.02.2022 16:19
Propozim ligji për pagën minimale ka përkrahjen e deputetëve të shumicës parlamentare dhe opozitës....

Propozim ligji për pagën minimale ka përkrahjen e deputetëve të shumicës parlamentare dhe opozitës. Të gjithë janë dakord që paga minimale duhet rritur për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Dallimet konsistojnë në atë që opozita kërkon harmonizimin e pagave me atë minimale në më shumë sektorë, ndërkaq pushteti përpiqet të tregohet i përgjegjshëm për mundësitë buxhetore. Nuk mungoi as debati politik se cili pushtet e ka rritur më shumë pagën minimale.
“Vetëm për t’u kujtuar, paga minimale në vitin 2017 ishte 8.800 denarë. Sot, propozojmë ligj që paga minimale të jetë 18.000 denarë ose 100% më shumë krahasuar me vitin 2017. Kujdesi për standardin jetësor të qytetarëve mbetet prioriteti kryesor i kësaj qeverie dhe kësaj shumice parlamentare.”,- tha deputetja e LSDM-së, Lolita Ristova.
“Paga minimale duhet të rritet por duhet të rriten edhe pagat e tjera në nivele të tjera të të punësuarve. Kështu vetëm mund të krijohet pakënaqësi shtesë te punëtorët e tjerë, e cila do të reflektohet në produktivitetin e tyre dhe motivin për punë.”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mirçe Axhioski.
ASh edhe pse përkrah ligjin për pagën minimale konsideron se ai nuk përfshin një grup punëtorësh që edhe tani marrin më pak se paga minimale.
“Ne e kemi përmend edhe në KPPS, në një ndër amendamentet tona dhe kemi propozuar që me këtë kategori të përfshihen edhe një numër i të punësuarve siç janë referentët e ri, të cilët janë të cilët janë të punësuar në administratën publike dhe shtetërore, siç janë një pjesë e të punësuarve teknik dhe operativ që fatkeqësisht nuk përfshihen në këtë kategori. Ata edhe deri më tani kanë marrë rrogë më të vogël se paga minimale prej 15.200 den.”,- u shpreh deputeti i ASh-së, Elmi Aziri.
“Ky propozim ligj është i mirë dhe kuptohet se nuk i zgjidh të gjithë problemet e qytetarëve, mirëpo është një hap në të mirë të zgjidhjes së çështjeve të qytetarëve kur jemi në prag të rritjes së çmimeve mbarë globale. Sa për dijeni, sipas ministrit Besimi do të kemi financa stabile dhe buxhet likuid edhe pas rritjes së pagës minimale.”,- theksoi deputeti i BDI-së, Bedri Fazli.
Me pr/ligjin për pagën minimale përcaktohet lartësia e rrogës minimale në vlerë neto 18.000 denarë, duke filluar me pagesën e rrogës për muajin mars. Për zbatimin e këtij ligji, deri në fund të vitit do të nevojiten rreth 15 milionë e 300 mijë euro nga Buxheti i Republikës, ndihmë për punëdhënësit apo, rreth 20 euro për punëtor, për pagesën e diferencës nga kontributet e rrogës minimale neto të rritur.
SHPËTIM NUREDINI
