Maqedoni
“Expo Dubai 2020”, Bytiqi: RMV, vend i volitshëm për investime
22.02.2022 17:01
Maqedonia e Veriut ofron mundësi të gjëra për investime në prodhimtari...

Maqedonia e Veriut ofron mundësi të gjëra për investime në prodhimtari, energjetikë, ndërtimtari, turizëm dhe bujqësi. Mundësitë për investim në vendin tonë u prezantuan në evenimentin “Expo Dubai 2020”.
Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Bytyçi, duke ofruar mundësitë që ofron vendi në bërjen e biznesit, u ndal te krijimi i zinxhirëve të furnizimit të kompanive të mëdha në rajon, të cilat sipas tij do të mundësonin zhvillim ekonomik.
“Është hapur një dritare me mundësi për rajonin tonë në këtë periudhë post Covid dhe ajo është kapitalizimi i potencialit të plotë të “near shoring”, që është treguar se është e patjetërsueshme gjatë përballjes me pandeminë. Kur furnizues të mëdhenj kanë pasur vështirësi për eksport të mallrave, është bërë mëse e nevojshme për të investuar në ndërtimin e zinxhirëve në rajon të cilat do të gjeneronin stabilitet ekonomik dhe rritje. Duke e konsideruar afërsinë e tregut tonë me tregun e madh evropian, është një shans i madh për të ndërtuar jetë më të mirë.”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyçi.
Mabarak: Mundësi të reja për partneritet me RMV-në
Përfaqësues të Emirateve të Bashkuara Arabe thanë se këto evente janë shumë të rëndësishme për të ndërtuar lidhje dhe krijojnë mundësi për ndërtimin e partneriteteve të reja.
“Maqedonia tregoi pjesëmarrje unike në këtë eveniment ndërkombëtar. Marrëdhëniet tona me Maqedoninë e Veriut me kalimin e viteve përparoi shumë, përmes tregtisë bilaterale, e cila është rritur për më shumë se 75% gjatë viteve të fundit. Prandaj duam që të gjejmë mundësi të reja për partneritet në sferën ekonomike dhe tregtare.”,- u shpreh ministri i tolerancës, Sheik Nahayan Mabarak.
Në këtë eveniment, përveç pjesës ekonomike, u prezantua edhe kultura, përmes valleve të ndryshme të cilat i interpretuan Ansambli “Tanec” dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
ERSAN PAJAZITI
