Tensionet me Rusinë, Ukraina shpall gjendjen e emergjencës
Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Ukrainë....

Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Ukrainë, shpalli gjendjen e emergjencës 30 ditore në të gjitha rajonet e vendit, përveçse në Donetsk dhe Luhansk.
Ukraina gjithashtu u ka kërkuar qytetarëve të saj të mos vizitojnë Rusinë, ose nëse janë atje, të largohen sa më parë të jetë e mundur.
Por edhe pse Dhoma e Lartë e Parlamentit rus votoi njëzëri kërkesën e Putinit për të përdorur forcën ushtarake jashtë vendit.
Putin: “Po” diplomacisë, jo negociim me interesat tona
Putin vazhdon të këmbëngulë se është i gatshëm për zgjidhje diplomatike, por pa negociuar interesat e Rusisë.
“Vendi ynë është gjithmonë i hapur për dialog të ndershëm dhe të drejtpërdrejtë, për gjetjen e zgjidhjeve diplomatike për problemet më të vështira. Por e përsëris, interesat e Rusisë dhe siguria e qytetarëve tanë nuk janë të negociueshme. Prandaj ne do të vijojmë të zhvillojmë dhe të përmirësojmë ushtrinë dhe marinën tonë, për të siguruar që eficienca e tyre të rritet dhe që të jenë të pajisur me teknologjinë më të fundit” -tha Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Zgjidhja diplomatike duket larg, Biden: Nuk do mashtrohemi, do të mbrojmë NATO-n
Megjithatë, shanset për një zgjidhje diplomatike të krizës janë të largëta. Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, vendosën sanksione të forta. SHBA thotë se një takim mes dy presidentëve është jashtë tavolinës për momentin.
SHBA vlerëson se “diplomacia nuk mund të ketë sukses nëse Rusia nuk ndryshon kursin”.
“Asnjëri prej nesh, askush nga ne nuk duhet të mashtrohet. Asnjë nga ne nuk do të mashtrohet. Nuk ka asnjë justifikim. Sulmi i mëtejshëm rus ndaj Ukrainës mbetet një kërcënim serioz në ditët në vijim. Dhe nëse Rusia vazhdon, është Rusia dhe vetëm Rusia ajo qe do mbajë përgjegjësinë” – tha Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.
Vendimet e fundit të Moskës, shumë shtete sanksione ndaj Rusisë
BE vuri sanksione edhe ndaj 351 anëtarëve të Dumës ruse që votuan pro njohjes së dy republikave të vetë-shpallura. Sanksionet gjithashtu kufizojnë aksesin e qeverisë ruse në kapitalin dhe shërbimet financiare të Unionit dhe tregtia mes vendeve të BE dhe dy rajoneve separatiste është ndaluar.
“Ne do ta bëjmë sa më të vështirë që mundemi ndjekjen e politikave agresive nga Kremlini”, tha më herët kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Edhe Gjermania pezulloi procesin e certifikimit të gazsjellësit “Nord Stream 2”, që do të dërgojë gaz rus në vend. Sanksione ndaj Rusisë ka vendosur edhe Kanadaja, Australia dhe Japonia.
Por Putin ka edhe mbështetës. Kina ka kritikuar sanksionet e Perëndimit që i cilëson si një masë që kurrë nuk do të shërbente për të zgjidhur konfliktin.
Edhe Venezuela i ka dhënë mbështetje Putinit, madje presidenti Moduro akuzoi Ukrainën se me aktet e saj, shkeli në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen e Minskut. Rusia është nën sanksionet e Perëndimit që kur ka aneksuar në mënyrë të paligjshme Gadishullin e Krimesë, në vitin 2014 dhe mbështeti lëvizjet separatiste në lindje të Ukrainës.
Kriza aktuale nisi në fund të vitit të kaluar, kur Rusia grumbulloi trupa në kufi me Ukrainën, pas një kundështimi të gjatë të aspiratave të kësaj të fudit për antarësim në NATO-s dhe BE.
Rusia kërkon garanci nga NATO-ja se do të ndalojë zgjerimin drejt lindjes. SHBA-ja dhe NATO-ja kanë refuzuar kërkesën ruse, por kanë ofruar rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
