Kuvendi miratoi Ligjin për Pagën Minimale nga marsi, paga minimale do të jetë 18.000 den.

23.02.2022 14:58

Paga minimale nga 15.200 denarë rritet në 18.000 denarë.....

Paga minimale nga 15.200 denarë rritet në 18.000 denarë. Kuvendi votoi Ligjin për pagën minimale me shumicë të cilësuar përkatësisht, pro ligjit votuan 90 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Konformë ligjit, kjo rritje e pagës minimale fillon me pagesën e rrogës për muajin mars. Pavarësisht dakordësisë mes shumicës dhe opozitës pro ligjit për rritjen e pagës minimale, pr/ligji u shfrytëzua për debat politik dhe akuza të ndërsjella, i cili zgjati tre ditë.

“VMRO DPMNE në katër vitet e kaluara frenonte edhe ligje të tjera që ishin në interes të rritjes së të ardhurave të qytetarëve. Pengonte rritjen e pagës së mjekëve dhe ndihmën financiare në kohë krize, që rezultoi me migrimin masiv të kuadrove profesionist dhe profileve të tjera me kualifikim të lartë. Më gëzon fakti që për këtë pr/ligj për pagën minimale do të votoni pozitivisht.”,- tha deputetja e LSDM-së, Ljubica Spasova.

Ju s’ditët të hapni vende të reja pune dhe ngarkuat administratën, u përgjigj opozita. Rikujtoi se edhe kjo rritje e pagës minimale nuk përfshin të gjithë të punësuarit.

“Ju nuk ditët të krijoni vende të reja pune në sektorin privat. Rritët punësimet në sektorin publik. Ndërkaq, ajo që sot duhej t’u thoni qytetarëve është se me këtë masë të juajën, të gjithë të punësuarit në sektorin publik s’do të marrin pagë më të lartë nga një marsi. Do të marrin vetëm një përqindje e vogël e qytetarëve që kanë marrë pagë minimale.”,- theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Eli Panova.

Zbatimi i ligjit për pagën minimale do të rëndojë buxhetin e shtetit për 15 milionë euro, si ndihmë financiare për punëdhënësit për pagesën e rrogës minimale. Punëdhënësi i cili do të përfitojë ndihmë financiare është i detyruar ta mbajë punëtorin për të cilin merr ndihmë financiare së paku një vit pas përfundimit të periudhës së marrjes së ndihmës financiare.

Punëdhënësi i cili nuk do ta plotësojë këtë kusht është i detyruar t’i kthejë mjetet në shumën e ndihmës financiare të fituar në pajtim me këtë ligj, në afat prej 30 ditësh nga dita e çlajmërimit të punëtorit.

Me ndryshimet e reja në ligj, lartësia e rrogës minimale nuk mund të jetë më e ulët se 57% e lartësisë së rrogës mesatare neto. (Shpëtim Nuredini, TVM2)