Maqedoni

Kontesti maqedono – bullgar, Osmani: Tentim i papërsëritshëm në kalimin e ndasive

23.02.2022 16:19

Ministri i jashtëm, Bujar Osmani, përpjekjet për tejkalimin e ndasive maqedono-bullgare...

Ministri i jashtëm, Bujar Osmani, përpjekjet për tejkalimin e ndasive maqedono-bullgare i vlerëson si të papërsëritshme, e ato, sipas tij, do të korrin rezultate javët që vijnë. Sipas shefit të diplomacisë, Osmani, procesi është kthyer në pikën fillestare, politika është ndarë nga historia duke shtuar bashkëpunimet të cilat do të ndikojnë pozitivisht në zgjidhjen e ndasive. Ky është edhe interes i Bullgarisë, tha Osmani në “Argument” në TVM2.
 
“Ja e kemi linjën Shkup – Sofje si rezultat i parë i grupeve të punës që në takimin e parë. Unë besoj se do të ketë edhe shumë projekte të tjera të cilat do të dalin si rezultat I këtyre grupeve të punës. Kjo do të krijon një ambient më pozitiv, në një ambient më pozitiv kujtoj se edhe çështjet historike më lehtë do të tejkalohen. Ashtu që të shpresojmë që tani ky shans i cili mund të jetë i papërsëritshëm të jep rezultatet e duhura në javët që vjen.”,- tha ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani.
 
Petkov: Do të mbrojmë të drejtat e minoritetit bullgar
 
Edhe kryeministri i Bullgarisë, Kirill Petkov, është i prerë se s’do lejojë që asgjë të ndikojë në marrëdhëniet maqedono-bullgare. Por, Petkov thotë se në këtë rrugëtim do të mbrojë të drejtat e minoritetit bullgar në Maqedoninë e Veriut si dhe integrimi i vendit në BE.
 
“U gëzova për takimin me bullgarët në Maqedoninë e Veriut. Unë i sigurova se të drejtat e tyre janë prioritet për qeverinë bullgare, njëkohësisht bashkë u dakorduam se gjëja më e mirë si për Bullgarinë, për ata dhe për Maqedoninë e Veriut, është që të shohim Maqedoninë e Veriut në BE. Kjo është strategjia jonë afatgjate, andaj ne për momentin duhet të lëvizim në këtë drejtim.”,- theksoi kryeministri i Bullgarisë, Kirill Petkov.
 
Në Sofje zhvillohet takimi i grupit të historisë. Nga qeveria sigurojnë se gjuha dhe identiteti nuk po negociohen, por punohet në gjetjen e zgjidhjes, në interes të të gjithëve.
 
MERAL ISMAILI