Maqedoni
100 ditë qeverisje me komunën, Kasami: Po punojmë të zgjidhim problemet
23.02.2022 17:00
Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, prezantoi të arriturat në 100 ditët e para të qeverisjes me komunën...

Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, prezantoi të arriturat në 100 ditët e para të qeverisjes me komunën. Ai u ankua sërish për situatën financiare me të cilën e trashëgoi komunën e tha se borxhin arriti ta zvogëlojë për 1 milion euro. U shpreh i kënaqur megjithatë me premtimet që tha se arriti t’i realizojë.
“Përkundër vështirësive të shumta, borxhit enorm dhe një kaosi të trashëguar, ne dalëngadalë, duke përmbushur një nga një premtimet në këtë 100 ditësh, po arrijmë me shumë mund dhe përkushtim ta vendosim komunën në koordinata tjera funksionimi, po arrijmë që të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme për të gjitha problemet e shtresuara ndër vite.”,- tha kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Por, ende nuk ka zgjidhje për problemin me ujin për pije. Kasami thotë se nuk ka gjetur asnjë elaborate të gatshëm për burimin e Leshnicës.
“Ne ende nuk kemi gjetur elaborat për mbrojtje të burimeve që kanë të bëjnë me Leshnicën, duhet të bëjmë elaboratin, Ministria e Ambientit të miratojë vendimin që burimi i Leshnicës të jetë zonë e mbrojtur e burimeve të ujit.”,- theksoi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Kasami tha se u arrit të gjendet zgjidhje për ndërtimin e bulevardeve e punët do fillojnë kur koha të përmirësohet. U ankua se po sabotohet nga policia në vendosjen e rregullit në komunikacion.
“Ne kemi vendosur shenjat por SPB-Tetovë ka kërkuar që të largohen. Unë kam vërejtjet e mia dhe dyshimet e mia se në SPB Tetovë ka tendenca që të sabotohet puna e komunës së Tetovës.”,- u shpreh kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Kasami premtoi se do të vazhdojë me transparencë dhe llogaridhënie edhe pas këtyre 100 ditëve të para të drejtimit me komunën
VISAR SADIKI
