Maqedoni

Aliu-Dimitrievski: Me arsim cilësor parandalojmë ikjen e të rinjve

23.02.2022 18:01

Në kuadër të dialogut ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe institucioneve tjera kompetente në fushën e arsimit...

Në kuadër të dialogut ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe institucioneve tjera kompetente në fushën e arsimit, me kryetarët e  komunave  dhe përfaqësues të vetëqeverisjeve lokale, sektorit të biznesit, përfaqësues të shkollave të mesme profesionale dhe organizatave ndërkombëtare, me qëllim krijimin e politikës së regjistrimit për vitin shkollor 2022-2023 dhe përparimin e arsimit të mesëm profesional, zëvendësministri i MASh, Lulzim Aliu, sot qëndroi në Kumanovë ku me kryetarin e Kumanovës dhe institucionet përkatëse biseduan në lidhje me avancimin e arsimit të mesëm profesional nëpër shkollat e mesme profesionale.
 
“Kemi ardhur për të dëgjuar kërkesat dhe nevojat që i kanë kompanitë e vendit, ndërmarrjet e Kumanovës dhe rrethinës së saj, e pastaj të krijohen politikat arsimore për përmbushjen e kërkesave të tyre si me  drejtimet e caktuara profesionale dhe me këtë njëkohësisht do të ndikonin në parandalimin e shpërnguljes së të rinjve. Sepse duke krijuar ndërlidhjen mes kompanive dhe të rinjve të arsimuar profesional, do të parandalonim shpërnguljen e të rinjve. Por do t’u ndihmonim kompanive të cilat vazhdimisht ankohen se nuk kanë kuadër të përgatitur profesional”,- tha ndër tjera zëvendësministri i MASh-it, Lulzim Aliu. 
 
“Procesi edukativ i të rinjve dhe arsimimi profesional në komunën e Kumanovës zhvillohet në disa shkolla të mesme. Njëra ndër to është shkolla e mesme bujqësore, e cila ka marrë statusin e shkollës shtetërore, kurse shkolla e mesme teknike dhe ajo ekonomike janë nën ingerencat e komunës së Kumanovës. Në kuadër të mundësive tona, ne i avancojmë kushtet për mësim në këto shkolla e kuadrot profesionalë  që dalin prej tyre, më pas angazhohen në kapacitetet ekonomike të qytetit tonë.”,- theksoi ndër të tjera kryetari i komunës së Kumanovës, Masim Dimitrievski.
 
Zëvendësministri Aliu, një takim të ngjashëm ka mbajtur edhe në komunën e Kriva Pallankës.
 
NEXHAT AQIFI