Rusia i shpallë luftë Ukrainës, bombardimet e para sollën edhe viktima
24.02.2022 10:55
Filluan sulmet ruse ndaj Ukrainës....

Në orët e hershme të mëngjesit, Federata ruse sulmoi Ukrainën. Situata atje ndërron moment pas momenti, ndërkaq deri në orët e para të pasdites, këshilltari i president të Ukrainës, Oleksi Aristoviq, ka njoftuar për 40 ushtarë të vrarë, 10 civil dhe disa të plagosur. Ndërkohë, sipas mediave të huaja, në konflikt kanë humbur jetën edhe 50 ushtarë rus.
Zelenski: Putin dëshiron ta shkatërrojë Ukrainën
Presidenti i Ukrainës Zelenski ka shpallur gjendje lufte në Ukrainë dhe ka ndërprerë raportet diplomatike me Moskën. Zelenski ka deklaruar se ndaj shtetit të tij po tentohet pushtim i plotë ndërsa qeveria e Kievit ka deklaruar ligjin ushtarak për mbrojtje të vendit. Presidenti Zelenski bën thirrje për mbrojtje e vendit ndërsa qytetarëve ukrainas ju ka thënë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
“Rusia ka filluar pushtim ndaj Ukrainës. Putin ka filluar luftë me Ukrainën dhe me botën perëndimore. Ai dëshiron ta shkatërrojë shtetin tonë. Gjithçka që ndërtuam dhe për gjithçka që jetojmë. Pa panik. Bëjmë gjithçka në përkrahje të armatës tonë.”,- theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Putin kërcënon edhe Perëndimin: Kushdo që ndërhyn, do të përballet me pasoja
Sulmit ushtarak të Ukrainës i parapriu fjalimi i presidentit rus Putin, i cili u transmetua në televizion shtetëror të Rusisë. Putin deklaroi se kishte vendosur “të kryejë një operacion të posaçëm ushtarak për të mbrojtur njerëzit që i janë nënshtruar abuzimit dhe gjenocidit nga regjimi i Kievit. Ai paralajmëroi se ndërhyrja e shteteve perëndimore në raportin me Ukrainën, do të shoqërohet me pasoja të papara deri më tani.
“Kushdo që përpiqet të ndërhyjë tek ne dhe aq më tepër të krijojë kërcënime për vendin tonë, për popullin tonë, duhet ta dijë se përgjigja e Rusisë do të jetë e menjëhershme dhe do t’ju çojë në pasoja të tilla që nuk i keni përjetuar kurrë në historinë tuaj. Ne jemi të gatshëm për çdo zhvillim të ngjarjeve. Janë marrë të gjitha vendimet e nevojshme në këtë drejtim.”,- u shpreh presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Qytetarët e Ukrainës të shqetësuar për situatën. Kërkojnë strehim dhe mbrojtje nga agresori rus, disa prej të cilëve tashmë kanë filluar të lëshojnë vendet e tyre.
“Federata ruse filloi luftë në Ukrainë. Jemi duke shkuar në metrotë, qarkullojnë ndër tokë, për ta shpëtuar jetën.”,- theksoi qytetar.
“Bëhemi gati. Për çdo rast presim.”,- u shpreh një qytetar.
“Putini shpalli luftë. Tash presim. Do të qëndroj derisa nuk sulmohet qyteti im.”,- theksoi një qytetar.
“Lufta tashmë filloi. Kjo është e qartë. Nëse më thërrasin, do të shkoj dhe do të luftoj.”,- u shpreh një qytetar.
Edhe një shtetase e Ukrainës me origjinë shqiptare, Nelli Syupyur, në rrjete sociale ka rrëfyer momentet e tmerrit nga sulmi rus. Ajo thotë se kufijtë janë të mbyllur dhe situata është shumë e rëndë, ndërsa të gjithë po jetojnë me ankth këto momente tmerri.
“Unë jam këtu në Ukrainë, ishte situatë e rëndë, ka shumë njerëz në banka që marrin para, kufijtë janë të mbyllur, nuk mund të dalësh nga Ukraina. Burri im shkoi në luftë unë jam me djalin.”,- tha një shtetase e Ukrainës me origjinë shqiptare, Nelli Syupyur.
Sulmet ruse kanë shkaktuar edhe dëme materiale, sidomos në pesë qytetet e Ukrainës. Sipas raportimeve të huaja, është dëmtuar edhe qendra e inteligjente e Kievit dhe po ashtu edhe lidhja e telekomunikimit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
