Rusia nis sulmin ndaj Ukrainës
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës nga Donbasi....

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës nga Donbasi.Lajmin e bën me dije ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba.
Përmes rrjeteve sociale ai thotë se Vladimir Putin, ka nisur ‘pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë’.
Sakaq, ministri i Jashtëm i Ukrainës thekson se do të mbrojnë veten ndërsa shton se bota mund dhe duhet ta ndalë Putin-in që të sulmojë.
Shpërthime dhe të shtëna me armë u raportuan në Kiev dhe qytete të tjera. Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan pranë aeroportit kryesor “Boryspil” në Kiev, menjëherë pasi Rusia njoftoi për operacionin.
Autoritetet flasin për 7 të vdekur, 9 të plagosur dhe 19 persona të shpallur të zhdukur. Presidenti Volodymyr Zelensky konfirmoi raportimet për sulm me predha në vendin e tij. Ai tha se Rusia ka sulmuar rojet kufitare dhe disa infrastruktura të Ukrainës. Sipas raportimeve, ushtria ruse nisi me pushtimin e Ukrainës nga disa fronte: konkretisht trupat kaluan kufirin nga Bjellorusia, Krimea dhe krahina e Donbasit.
Ushtria ruse me anë të një deklaratë bëri me dije se nuk hasi në asnjë rezistencë nga ana e rojeve kufitare ukrainase gjatë nisjes së pushtimit. Gjithashtu, Moska pretendon se ka bllokuar sistemet e mbrojtjes ajrore të Kievit. Nga ana tjetër, qeveria e Ukrainës tha se ka rrëzuar disa avionë të Rusisë, në atë që duket të jetë përplasja e parë mes dy vendeve.
Por Kremlini hedh poshtë këtë pretendim duke theksuar se nuk i përket realitetit në terren. Ndërkohë, në territorin e Ukrainës ka shpërthyer paniku, bashkë me raketat e shumta të lëshuara nga ushtria ruse. Linja të gjata trafiku janë regjistruar në Kiev dhe qytete të tjera, një tentativë kjo e shumë qytetarëve për t’u larguar nga vendi. Një pjesë po gjejnë alternativa strehimi, si për shembull brenda metrove. Gjithashtu, raportohet një zbrazje e bankomatëve në mbarë Ukrainën.
