Dënohet sulmi rus ndaj Ukrainës
Liderë të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës.....

Liderë të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës, kanë dënuar operacionin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës në orët e hershme të së enjtes.
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka dënuar agresionin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës dhe është shprehur se Putini ka shkelur çdo ligj ndërkombëtar me veprimet e tij.
“Shqipëria dënon sulmin e pajustifikueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës, duke shkelur ligjin ndërkombëtar dhe duke kërcënuar jetën e civilëve të pafajshëm.I bëjmë thirrje Rusisë të tërhiqet nga veprimet ushtarake kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës! Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe popullin e saj në këtë orë të errët!”, shkruan Meta.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se u bashkohet aleatëve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të dënuar ashpër agresionin rus.
“Jemi me popullin ukrainas”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se populli i shtetit të saj mbështet popullin ukrainas, teksa përballet me “pasojat e një lufte të paprovokuar, si rezultat i agresionit rus”.
“Ne do të bashkëpunojmë me aleatët tanë për të ndalur çfarëdo destabilizimi të rajonit tonë. Hegjemonia ruse nuk do të triumfojë. Liria dhe demokracia do të fitojnë”, ka thënë ajo përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Edhe kryeministri, Albin Kurti solidarizohet me popullin ukrainas. Sipas tij, invazioni rus në Ukrainë është agresion më i madh ushtarak që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
“Në Ukrainë po ndodh invazioni rus, i cili është agresioni më i madh ushtarak që nga përfundimi i luftës së dytë botërore. Jemi të orientuar bashkë me BE-në dhe NATO-n, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Mbretërinë e Bashkuar, për sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, pavarësinë e vendit dhe të drejtën e vetëvendosjes për popullin e Ukrainës”, theksoi Kurti .
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, u bashkohet thirrjeve të BE-së që Rusia t’iu japë fund armiqësive dhe të tërheqë forcat nga Ukraina.
Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, ka thënë se ky “sulm i paprovokuar përbën shkelje të madhe të sovranitetit të Ukrainës dhe ligjit ndërkombëtar. Kjo është përgjegjësi ekskluzive e Rusisë, të cilës i kërkojmë të ndalë menjëherë këtë sulm ushtarak”.
Kryesuesi i presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Zhelko Komshiq, ka thënë se do të ofrojë mbështetje për Ukrainën, brenda mundësive.
“Sot në orën 06:00 kam biseduar me të ngarkuarin me punë të Ukrainës, i cili më ka informuar zyrtarisht se sulmi ndaj Ukrainës ka nisur dhe se Ukraina kërkon mbështetjen tonë në të ardhmen” - thotë Komshiq.
