Maqedoni

Invazioni rus në Ukrainë, Pendarovski: Kërcënohet stabiliteti i Europës

24.02.2022 14:14

Presidenca e Maqedonisë së Veriut ka dënuar ndërhyrjen ushtarake ruse në Ukrainë....

Presidenca e Maqedonisë së Veriut ka dënuar ndërhyrjen ushtarake ruse në Ukrainë. Presidenti, Stevo Pendarovski, i është bashkangjitur thirrjes së NATO-s për ndërprerjen e aktiviteteve ushtarake, pasi kjo në të kundërtën do të shpie drejt humbjes së pakompensuar të jetëve të njerëzve dhe dëmit material. Me pushtimin rus cenohet integriteti dhe sovraniteti i Ukrainës dhe kërcënohet stabiliteti i Europës, vlerëson Pendarovski. 
 
“Si anëtare e NATO-s, ne i bashkohemi thirrjes së Aleancës drejtuar Rusisë për të ndërprerë veprimet luftarake në territorin e Ukrainës. Në emër të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, shpreh solidaritetin me popullin ukrainas në këto kohë të vështira.”,- thuhet në kumtesën e presidencës. 
 
Kovaçevski: Aktivizojmë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë
 
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, në facebook shkroi se agresioni rus mund të kërcënojë paqen në Europë dhe botë. Ndërkohë, mblodhi kabinetin e tij dhe miratoi pakon e re të masave ndëshkuese të BE-së në lidhje me situatën në Ukrainë.  
 
“Qeveria i bashkohet pakos së re të masave ndëshkuese të Këshillit të BE-së dhe nis procedurën për zbatimin e tyre. Masat ndëshkuese përfshijnë ndalesa qarkullimi në vendet e BE-së ndaj një numri të caktuar politikanësh dhe biznesmenësh që kanë luajtur një rol në situatën në Ukrainë, si dhe ndalimi i aksesit në fondet financiare të BE-së.”,- thuhet në komunikatën e qeverisë. 
 
Xhaferi: Eskalimi i situatës nuk është risi
 
Kryeparlametari, Talat Xhaferi, thotë se gjendja e luftës në Ukrainë nuk është diçka e re dhe se tani prioritet duhet t’i jepen bisedimeve dhe dialogut për të respektuar sovranitetin territorial të Ukrainës.
 
“Para zgjedhjeve ose gjatë zgjedhjeve të 2014-ës, kryetari i BDI-së fliste për situatën, ajo që i parapriu eskalimit në Ukrainë 2015-ën. Thoshte që Ukraina nuk është larg nga këtu. Mendoj që ai qëndrim është aktual dhe sot e kësaj dite implikimet dhe aspektet do të reflektojnë në rajon këtu por edhe më gjerë në kontekst ndërkombëtar në relacion të disbalancimit të forcave gjeopolitike, në përgjithësi të situatës.”,- u shpreh kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.
 
Osmani: Sulmi rus, agresion ndaj Ukrainës
 
Nuk ka munguar as qëndrimi i ministrit të punëve të jashtme, Bujar Osmani, i cili ka njoftuar se disa familje nga Maqedonia e Veriut që ndodhen në Ukrainë, kanë kërkuar ndihmë për t’u kthyer në vend.
 
“Vendimi i sotëm i Kremlinit për veprime ushtarake të forcave ushtarake ruse nuk është asgjë më pak se akt i agresionit dhe fillim i luftës kundër Ukrainës, akte të cilat i dënojmë në mënyrën më të fuqishme të mundshme. Në këto kohë të vështira ne jemi me Ukrainën.”,- shkruan Osmani në Twitter. 
 
Mariçiq: Agresioni rus, i patolerueshëm
 
Ndërkohë, zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiq, ka njoftuar se s’do mungojë ndihmesa për shtetin ukrainas.
 
“Ne respektojmë dhe mbështesim pavarësinë territoriale të Ukrainës. Qëndrojmë përkrah popullit të Ukrainës në këtë situatë. Ofrojmë ndihmë për Ukrainën me aq sa mundemi dhe ashtu si mundemi në këto kohë të vështira.”,- tha Mariçiq pas hyrjes së trupave rusë në shtatë qytete të Ukrainës mëngjesin e sotëm.
 
MERAL ISMAILI