Botë
Konflikti i armatosur Rusi-Ukrainë, Hollshtajn: Jemi bashkë për hapat e ardhshëm
24.02.2022 15:00
Gjermania dënon ashpër intervenimin rus ndaj Ukrainës dhe kërkon që forcat ruse të tërhiqen nga territori i Ukrainës...

Gjermania dënon ashpër intervenimin rus ndaj Ukrainës dhe kërkon që forcat ruse të tërhiqen nga territori i Ukrainës. Ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Anke Hollshtajn, thotë se aleatët në momente të tilla duhet të qëndrojnë fuqishëm të bashkuar në menaxhimin e krizës. Ajo edhe një herë rikujtoi rëndësinë e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, i cili u arrit përmes Marrëveshjes së Prespës. Kjo marrëveshje nënkupton siguri, tha kryediplomatja gjermane, duke shtuar se askush nuk mund ta paramendonte se do të ndodhë një sulm i tillë, por as se deri ku mund të shkojë e gjithë kjo situatë.
“Për të gjithë ne ky është një ndër momentet më të errëta në jetët tona. Askush nuk e imagjinonte se sulmi me të vërtetë mund të ndodhte këtu në Europë. Si anëtare e Bashkimit Europian dhe kryesuese me G-7 dhe aleat i NATO-s, qëndrojmë jashtëzakonisht shumë afër bashkë me partnerët tanë dhe ju sigurojmë se do të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë e të vendosim për hapat e ardhshëm të përbashkët. Maqedonia e Veriut sot shumë qartë shikon çfarë do të thotë të jesh anëtar i një aleance, siç është NATO-ja. Po të mos kish qenë anëtare e saj, vendi do të gjendej në një situatë më ndryshe se momentalisht.”,- u shpreh ambasadorja e Gjermanisë në RMV, Anke Hollshtajn.
“Konrad Adenauer”: Përballemi me luftë të re në Europë
Nga Fondacioni “Konrad Adenauer” konsiderojnë se po përballemi me luftë të re në Europë, andaj të gjithë demokratëve duhet t’ju jetë e qartë se duhet që medoemos të jemi të bashkuar.
“Nëse një shtet demokratik dhe populli i tij voton për t’iu bashkangjitur ndonjë aleancë, atëherë ky është një akt demokratik dhe duhet të respektohet. Të gjitha shtetet botërore duhet ta respektojnë të drejtën ndërkombëtare. Situata në Ukrainë është shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe është luftë e re në Europë.”,- tha Fondacioni “Konrad Adenauer”.
Pasojat mund të jenë shumë të mëdha, thonë përfaqësuesit e huaj në vend. Sipas tyre, sulmi rus ndaj Ukrainës është sfida më e madhe e sigurisë me të cilin po përballet kontinenti në historinë më të re.
MERITA GASHI
