Maqedoni

Sulmi rus në Ukrainë befason ekspertët e sigurisë

24.02.2022 15:55

Ekspansioni rus mbi Ukrainën ka befasuar edhe ekspertët e sigurisë.....

Ekspansioni rus mbi Ukrainën ka befasuar edhe ekspertët e sigurisë. Pavarësisht situatës së tensionuar për një kohë më të gjatë mes dy vendeve fqinje, fillimi i një lufte të armatosur ka qenë skenari më pak i pritshëm dhe sfida më e madhe e kontinentit dhe më gjerë. Profesori universitar, Zlate Dimovski, vlerëson se sulmi rus është i përllogaritur dhe ka për qëllim që të përforcoj pozitat ruse në kërkesat e saj për njohjen e autonomisë së rajoneve ukrainase, Donjeck dhe Lugansk, me mundësinë që më pas t’i bashkëngjiten Rusisë.
 
“Të gjitha vlerësimet tona dhe ajo që priste bashkësia ndërkombëtare ishte se do të ndodh diçka në rrugë diplomatike dhe konflikti si i tillë do të mbyllej. Nuk prisnim që të ndodh konflikt luftarak, por ja që nga mëngjesi e kemi. Unë mendoj se ky është përdorim i përllogaritur i forcës luftarake për të fituar pozitë më të mirë në negociatat e mëtejme. Që d.m.th. se nuk pres ndonjë zgjerim më të madh të luftës por, ky është një përdorim i përllogaritur i forcës luftarake”,- tha profesori universitar, Zlate Dimovski.
 
Dimovski: S’kemi pasoja të drejtpërdrejta
 
Sulmi rus në Ukrainë nuk pritet të ketë refleksione domethënëse sigurie për vendin tonë dhe rajonin në përgjithësi pasi gjeografikisht nuk kufizohemi me këto dy vende, por refleksionet do të jenë si për të gjitha vendet e tjera të Evropës dhe NATO-s.
 
“Si refleksion do të kemi pasoja, por pasoja të drejtpërdrejta nuk do të kemi. Nuk pres as ndonjë valë të veçantë refugjatësh pasi ne jemi, me të vërtetë, në anën tjetër të Ukrainës.”,- u shpreh profesori universitar, Zlate Dimovski.
 
Troshanoski: Diplomacia mbetet zgjidhja e vetme
 
Sanksionet ndaj Rusisë nuk janë të mjaftueshme konsideron kreu i Institutit për Demokraci, Marko Troshanski. Sipas tij aktualisht kërkohet unitet më i madh i aleatëve euroatlantik ndërsa fjala e fundit i mbetet diplomacisë.
 
“Në histori është dëshmuar se regjime autokrate por edhe regjime të shteteve të mëdha dhe të fuqishme nuk bien pre e sanksioneve. Kështu që diplomacia mbetet zgjidhja e vetme, pasi konflikti ushtarak është i padëshirueshëm për të gjithë.” ,- theksoi Marko Troshanoski nga Instituti për Demokraci.
 
Ekspertët e sigurisë nuk presin që konflikti të zgjasë për shumë kohë. Ai më ka animuar organizmat më të larta ndërkombëtare të sigurisë dhe ka ndezur aktivitetin diplomatik për një zgjidhje diplomatike.      
 
SHPËTIM NUREDINI