Maqedoni

Xhaferi: Shumica duhet të reflektohet në trupat e kuvendit

24.02.2022 16:17

Shumica parlamentare detyrimisht duhet të reflektohet edhe në trupat e kuvendit...

Shumica parlamentare detyrimisht duhet të reflektohet edhe në trupat e kuvendit, sepse këtë e përcakton rregullorja, thotë kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi, duke sqaruar bllokadën që po bëhet në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime. Sipas tij, deputeti i Lëvizjes “Besa”, parti e cila nga pushteti kaloi në opozitë, Fadil Zendeli duhet të tërhiqet nga Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime, sepse këtë e thotë rregullorja në të kundërtën mos-largimi i Zendelit nga funksioni, sipas Xhaferit, zvarrit edhe punimet dhe prish ekuilibrin e përfaqësimit në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime.
 
“Fadil Zendeli si bartës i funksionit-nënkryetar parlamenti nuk mundej si opozitë të bartë funksionin e nënkryetarit për faktin që rregullorja sanksionon që nga numri i përgjithshëm i nënkryetarëve, një i takon opozitës më të madhe në parlament që rezulton me koalicionin VMRO-DPMNE dhe komfor asaj logjike, deputeti i shumicës cilido qoftë ai, në rastin konkret Fadil Zendeli, nëse ka ndërruar status të veprimit të tij për të qenë si deputet opozitar nuk ka të drejtë të bartë funksionin e anëtarit të komisionit përkatës, si përfaqësues i opozitës për faktin që ndikon në disbalanci i asaj që është raporti proporcional pjesëmarrjes së deputetëve.”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime mbledhjen e fundit e ka mbajtur më 7 qershor dhe është ndërprerë për shkak të kundërshtimeve për zgjedhjen e gjykatësve kushtetues. Ndërkohë, largimi i Lëvizjes “Besa” nga shumica parlamentare ka komplikuar akoma më shumë punën e komisionit sepse shumicën në këtë komision e përbën opozita.
 
NAIM RAMADANI