Botë
ShBA, BE, NATO dhe shtetet perëndimore dënojnë ashpër sulmin ushtarak rus në Ukrainë
24.02.2022 17:41
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka folur me tone të ashpra pasi Rusia ka ndërmarrë ofensivë ushtarake për ta pushtuar Ukrainën....

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka folur me tone të ashpra pasi Rusia ka ndërmarrë ofensivë ushtarake për ta pushtuar Ukrainën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të vendosin “sanksione të ashpra” ndaj Rusisë, pasi forcat e saj ushtarake kanë nisur sulm në Ukrainë, ka thënë presidenti Biden. Presidenti amerikan ka folur me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, dhe e ka njoftuar për hapat që do të marrë Uashingtoni kundër Rusisë, duke përfshirë edhe një takim special të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Lutjet e botës janë me popullin e Ukrainës sonte teksa ata kanë pësuar një sulm të paprovokuar dhe të pajustifikuar nga forcat ushtarake ruse. Presidenti Putin ka zgjedhur një luftë të paramenduar që do të sjellë një humbje katastrofike të jetëve dhe vuajtje njerëzore. Vetëm Rusia është përgjegjëse për vdekjet dhe shkatërrimin që do të sjellë ky sulm dhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët e saj do të përgjigjen në një mënyrë të bashkuar dhe vendimtare. Bota do të kërkojë llogari nga Rusia.”,- thuhet në reagimin e presidentit amerikan Bajden.
Edhe Këshilli dhe Komisioni Evropian kanë dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka quajtur agresion të pashembullt ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës. Bashkimi Evropian është me Ukrainën, ka thënë ajo dhe ka njoftuar se liderët e bllokut evropian do të diskutojë për këtë situatë dhe do të miratojnë masa tjera kundër Rusisë.
“Presidenti Putin është ai që e ktheu luftën në Europë dhe në këto orë të errëta BE-ja dhe populli i saj qëndron pran Ukrainës dhe popullit të saj. Po ballafaqohemi me një akt agresioni nga ana e lidershipit rus ndaj një shteti të pavarur. Qëllimet ruse nuk janë vetëm Donbas dhe Ukraina, target është stabiliteti i Europës po i gjithë rendi nacional, ndërsa ne do ta mbajmë Putinin përgjegjës për këtë. Sonte vonë do të vendosim sanksione masive. Me këtë paketë ne do të synojmë qëllimet strategjike të ekonomisë ruse.”,- theksoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.
NATO solli vendim që t’i aktivizojë planet e sigurisë. Pas takimit urgjent me ambasadoret, sekretari gjeneral Stoltenberg, kërkoi që Rusi menjëherë ta ndërpres; veprimin ushtarak. Ai tha se sulmi ndaj një shteti anëtar do të llogaritet si sulm ndaj të gjitha shteteve. Ndërsa detyra kryesore e NATO-s është të mbrojë të gjithë aleatët.
“Si përgjigje ndaj Rusisë ne veç më kemi përforcuar sigurinë kolektive në tokë, det dhe në ajër. Në javët e kaluara aleatët tonë nga Amerika dhe Europa kanë shpërndarë mijëra trupa në pjesët lindore dhe janë edhe po aq në pritje. Kemi mbi 100 aeroplanë që e mbrojnë hapësirën tonë ajrore.”,- u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Kjo është dita më e trishtuar e mandatit tim si sekretar i përgjithshëm i OKB-së, tha Antonio Guteresh, pasi që gjatë kohës së seancës së Këshillit për Siguri, Rusia filloi sulmin mbi Ukrainën.
“Në emër të humanitet mos lejoni që në Europë të fillojë ajo që mund të jetë lufta më e keqe që nga fillimi i këtij shekulli. Me pasoja shkatërruese jo vetëm për Ukrainën jo vetëm tragjikisht për Federatën Ruse, por me impakt që nuk mund ta parashikojmë. Ky konflikt patjetër të ndalohet tani.”,- tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteresh.
Kryeministri britanik, Boris Jonson, tha se presidenti rus Putin ka zgjedhur rrugën e gjakderdhjes dhe shkatërrimit, pasi që ai nisi sulm ku nuk kishte asnjë provokim.
“Ne bashkërisht me aleatët tanë do të dakordohemi për pako të masave të cilat duhet ta fundosin ekonominë ruse. Në të njëjtën kohë, ne të gjithë kolektivisht duhet t'i japim fund varësisë sonë nga përdorimi i gazit rus.”,- theksoi kryeministri i Britanisë, Boris Jonson.
Parisi do të bashkëpunojë me aleatët që t’i jepet fund luftës, ka thënë presidenti francez, Emanuel Makron. Rusia duhet menjëherë të ndërpresë sulmin mbi Ukrainën, Franca do të qëndrojë pranë Ukrainës dhe do të punojë me partnerët që t’i jepet fund luftës, ka shkruar Makron në twiter.
Ka reaguar edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili ka thënë se ndërhyrja ushtarake është e papranueshme dhe Turqia e refuzon. Ky hap është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe një goditje për stabilitetin e rajonit, vlerëson Erdogan.
SANIJE DURAKU
