Maqedoni

Zgjedhjet e parakohshme, Selimi: Zgjedhje të rregullta në 2024-ën

27.02.2022 15:21

Kërkesa e vazhdueshme e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare më se e parealizueshme...

Kërkesa e vazhdueshme e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare më se e parealizueshme pas riformatimit të qeverisë, vlerëson analisti politik Sefer Selimi. Sipas tij qeveria e kryeministrit Dimitar Kovaçevski me gjitha forcat do të përpiqet që të çojë mandatin deri në fund. 
 
“Zgjedhjet në Maqedoni nuk do të zhvillohen para kohe kësaj rradhe, të paktën jo para u ofruar deri tek data e planifikuar e vitit 2024. Mendoj që kjo qeveri do të insistojë në disa forma dhe në disa mënyra që mandatin ta mbajë deri në fund, kjo edhe për shkak edhe të nevojës për të prodhuar rezultate në premtimet e dhëna në kampanjën zgjedhore të vitit 2020-të”, u shpreh analisti politik Sefer Selimi.
 
Sipas Selimit, LSDM për çuarjen e mandatit deri në fund po merr përkrahjen edhe nga partnerët e ri të koalicionit.
 
“Edhe partnerët e ri kanë apetitet e tyre politike për të realizuar programin me të cilin ato janë bërë pjesë e qeverisë. Të gjithë partnerët do të fokusohen më tepër në mbajtjen gjallë të kësaj qeverie se sa në gjetjen e preteksteve apo gjetjen e formave për ta çuar vendin në vendin në zgjedhje të parakohshme”, theksoi Selimi.
 
VMRO – DPMNE por edhe blloku politik shqiptar pas zgjedhjeve lokale insistojnë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas opozitës kriza ekonomike, energjetike dhe shëndetësore në vend është e thelluar, saqë sipas tyre qeveria aktuale nuk ka kapacitete të mjaftueshme të përballjes.
 
Por pushteti kërkon oponentëve të tyre që të heqin dorë nga opsesioni për zgjedhje dhe të bëhen bashkë në qëndrimet për çështje madhore për shtetin.
 
MERAL ISMAILI