Botë

Ukraina prej katër ditësh në luftë, Kiev dhe Khariv arrijnë të mbrohen

27.02.2022 16:55

Edhe mëngjesin e së dielës krismat dhe shpërthimet e fuqishme të luftimeve mes forcave ruse dhe ukrainase kanë zgjuar qytetarët e Ukrainës...

Edhe mëngjesin e së dielës krismat dhe shpërthimet e fuqishme të luftimeve mes forcave ruse dhe ukrainase kanë zgjuar qytetarët e Ukrainës. Luftimet më të rrepta janë zhvilluar në rrugët e Kharivit, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë. Shpërthime ka pasur edhe në kryeqytetin Kiev. Autoritetet ukrainase zotohen se e kanë kryeqytetin nën kontroll, duke theksuar se nuk ka trupa rus në kryeqytet.
 
Informacionet e fundit flasin edhe për pastrimin e forcave ruse nga qyteti Khariv. Në disa video të publikuara në rrjetet sociale shihet se si forcat ukrainase kanë marrë automjetet e blinduara ruse. Paoshtu ushtria ukrainase po ndihmohet edhe nga qytetarët në Kiev të cilët po përgatisin koktej molotovi, për të mbrojtur kryeqytetin nga forcat ruse. Në pritje të sulmeve të reja ruse qytetarët janë ngujuar në shtëpi, garazhe nëntokësore dhe stacione metroje.
 
Ndërsa një numër i madh kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe janë nisur drejt vendeve fqinje. Turmat e njerëzve lëvizin drejt Polonisë dhe vendeve të BE-së. Ukrainasit kërkojnë municion nga ndërkombëtarët për tu përballur me sulmet ruse.
 
“Dua ti them vetëm një gjë Putinit! E vetmja rrugë për atë është të shkojë ne ferr! Urgjentisht na duhen raketa kundërajrore, raketa anti-tanke , na duhet  pra municion”, u shpreh qytetari.
 
“Ne themi vazhdimisht:  ndihmë, ndihmë  sepse ne jemi të vetmuar këtu. Kërkojmë ndihma nga e tërë bota”, theksoi qytetari.
 
“Përse Putini e bënë këtë? Ju e shifni vet se çka po ndodh!”, u shpreh qytetari.
 
Përshkallëzimi i situtatës ka bërë që vetëm për 4 ditë nga fillimin i pushtimit rus,  nga Ukraina të  largohen rreth 400 mijë qytetarë.
 
"Numrat e refugjatëve nga Ukraina  përditësohen. Numrat janë të  bazuara  në të dhënat e dispunueshme  nga autoritetet kombëtare. Numri i përgjithshëm tani është  368,000 dhe vazhdon të rritet" njoftojnë në twitter, nga Agjensia e Kombeve të Bashkuara për refugjatë.
 
Ndërkohë në disa vende të botës vazhdojnë protestat kundër luftës në Ukrainë. Protesta janë mbajtur në disa qytete evropiane, por edhe në Teheran. 
 
Në Zvicër, mijëra persona janë mbledhur nëpër qytete të ndryshme, përfshirë rreth 1,000 jashtë selisë së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Në protesta është kërkuar më shumë veprim nga qeveritë.
 
Në vendin fqinj të Rusisë, Finlandë, mijëra persona janë mbledhur në kryeqytetin Helsinki. Rreth 3,000 protestues janë parë në Vjenë duke mbajtur mbishkrimet “Stop Luftës”. Në Britani, qindra protestues kanë marshuar drejt Ambasadës së Rusisë në Londër. 
 
“I shoh miqt e mi dhe tentimet e tyre që fëmijët ti nxjerrin jasht vendit. Për momentin jam e lumtur që prindët e mi nuk duhet ta bëjnë atë, pasi e din se jam e sigurt”, theksoi protestuesi. 
 
Protesta kundër luftës në Ukrainë ka thirrur edhe ambasada e Ukrainës në Tiranë, ndërsa të premten u protestua edhe në Shkup. 
 
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU