Botë

Ukraina pajtohet për negociata me Rusinë, të hënën takohen delegacionet e dy shteteve

27.02.2022 17:52

Të hënën do të nisin negociatat Ukrainë-Rusi të cilat do të zhvillohen në kufirin Bjellorusi-Ukrainë...

Këtë e ka bërë të ditur zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës, Evgeny Yenin duke theksuar se bisedimet mes dy delegacioneve do të zhvillohen të hënën në mëngjes. Ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, duke konfirmuar negociatat mes Kievit dhe Moskës ka theksuar se dy delegacionet do të takohen “pa parakushte” pranë lumit Pripyat.
 
Deri te ky takim erdhi pasi presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko, i telefonoi presidentit Zelensky. “Alexander Lukashenko ka marrë përgjegjësinë për të siguruar që të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat e stacionuara në territorin Bjellorusi të qëndrojnë në terren gjatë udhëtimit, bisedimeve dhe kthimit të delegacionit ukrainas”, thekson presidenti i Ukrainës.
 
Më herët, Zelenskyy kishte refuzuar që Ukraina të takohej me delegacionin rus në Minsk, pasi forcat ruse kanë sulmuar Ukrainën edhe nga Bjellorusia. Presidenti i Ukrainës njëherit e ka akuzuar armatën ruse për vrasjen e civilëve dhe ka njoftuar për ngritjen e padisë në gjykatën ndrëkombëtare në Hagë. 
                                                                                                            
“Trupat ruse kanë goditur infrastrukturën civile. Ata zgjodhën me vetëdije taktikat për të shkatërruar popullin dhe gjithçka që e bën jetën thjesht normale. Termocentralet, spitalet, kopshtet e fëmijëve, ndërtesat e banimit, e gjithë kjo është nën sulm çdo ditë. Ajo që pushtuesit po i bëjnë Kharkivit, Okhtyrkës, Kievit, Odesës dhe qyteteve të tjera meriton një gjykatë ndërkombëtare. Ne i regjistrojmë qartë të gjitha krimet e tyre. Dhe do të kishte shumë të tjera krime të tilla nëse nuk do të kishin qenë mbrojtësit tanë të guximshëm”, u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.
 
Putin urdhëron, foca bërthamore në gadishmëri 
 
Presidenti rus, Vladimir Putin nga ana tjetër ka urdhëruar vendosjen e focës bërthamore në gadishmëri të lartë. Ai ka urdhëruar ushtrinë që të vendosë forcat parandaluese të Rusisë, referencë për njësitet që përfshijnë krahun bërthamor në gatishmëri të lartë, pasi i ka konsideruar agresive deklaratat e liderëve të NATO-s, dhe sanksionet ekonomike të vendosura nga shtete perendimore kundër Moskës.
 
“Siç mund ta shihni, jo vetëm shtetet e Perëndimit marrin masa jomiqësore kundër shtetit tonë në dimensionin ekonomik – dua të them sanksionet ilegale që të gjithë i dinë – por edhe zyrtarët e lartë të NATO-s ia lejojnë vetes të bëjnë deklarata agresive sa i përket shtetit tonë”, theksoi presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin. 
 
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba ka deklaruar se nëse Rusia përdor armë bërthamore kundër Ukrainës, kjo do të jetë një “katastrofë për botën”. “Por kjo nuk do të na shkatërrojë”, shtoi ai. SHBA-të nga ana tjetër kanë demantuar  pretendimet e presidentit rus për kërcnime nga NATO.
 
Në asnjë moment Rusija nuk ka qenë nën kërcnimet e NATO-s, e as nga kërcnimet e Ukrainës, ka deklaruar për Ej-Bi-Si njuz sekretari për informim I shtëpisë së Bardhë Xhen Psaki. Vendimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për të vënë në gatishmëri forcat e tij bërthamore përbën sjellje "të papërgjegjshme, vlerëson NATO.
 
"Kjo është një retorikë e rrezikshme. Kjo është një sjellje e papërgjegjshme", tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-S, Jens Stoltenberg.
 
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa duhet "të qëndrojnë vërtet së bashku" në përgjigje të agresionit ushtarak të Rusisë dhe "retorikës kërcënuese", tha Stoltenberg për BI-BI-Si, duke shtuar se aleanca "nuk dëshiron luftë me Rusinë.
 
Stoltenberg tha se Rusia "po kryente një pushtim ushtarak në shkallë të plotë të një kombi sovran dhe paqësor" dhe se nuk kishte "asnjë dyshim" se presidenti Vladimir Putin ishte përgjegjës.
 
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU