Botë
Ursula Fon Der Lejen, BE do të furnizojë me armë Ukrainën
27.02.2022 18:30
Bashkimi Evropjan ka njoftuar se ka ndërmend të fillojë edhe me dërgimin e armëve për Ukrainën...

Bashkimi Evropjan ka njoftuar se ka ndërmend të fillojë edhe me dërgimin e armëve për Ukrainën, që është hera e parë në historinë e BE-së të ndërmerr një hap të tillë. Paralajmërimin për të ndihmuar me armë Ukrainën e bëri kryetarja e Komisionit evropjan Ursula Fon der Lejen.
Ajo njëherit paralajmëroi sanksione të reja të fuqishme ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë dhe ndalesë për rusinë që ta shfrytëzojë hapsirën ajrore evropjane. Siç ka thënë ajo avionët nuk do të jenë në gjendje të zbresin, të ngrihen ose të fluturojnë mbi territorin e BE-së.
Kjo vlen, po ashtu, edhe për “avionët privatë të oligarkëve”. BE-ja po ashtu do t’i ndalojë mediat ruse ne BE, siç janë Russia Today dhe Sputnik, si dhe filialet e tyre. Edhe Greqia ka paralajmëruar se do të dërgojë municione, pushkë dhe raketahedhës në Ukrainë në përgjigje të një kërkese të qeverisë së Ukrainës. Ndihma ushtarake u vendos në një takim të dielën në mëngjes midis kryeministrit Kyriakos Mitsotakis dhe zyrtarëve të lartë të mbrojtjes.
Një aeroplan C-130 me pajisjet ka mbërritur në Poloni dhe një i dytë do të arrijë më vonë, tha një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes. Dy avionë të tjerë që transportonin ndihma humanitare si batanije dhe ushqime janë larguar gjithashtu nga Aeroporti Ndërkombëtar i Athinës për në Poloni, tha zëdhënësi.
Blinken, ShBA 54 milion dollarë ndihmë Ukrainës
Ndërsa SHBA-të do të dërgojnë rreth 54 milionë dollarë ndihmë humanitare në Ukrainë, bëri të ditur sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Ai tha se fondet do të shkojnë për organizatat ndërkombëtare humanitare për të ofruar ushqim, ujë, strehim dhe kujdes shëndetësor për ukrainasit në nevojë dhe për të ndihmuar në ribashkimin e familjeve që janë ndarë mes sulmeve të Rusisë.
