Nga feriboti i djegur grek deri tani janë shpëtuar 290 veta
Nga feriboti i djegur grek "Norman Atlantik" sipas të dhënave më të reja nga ekipet e shpëtimit janë shpëtuar 290 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit, lajmëron TASS....

Në aksionin për shpëtim marrin pjesë ekipe nga Greqia dhe Italia, ndërsa më vonë në operacion janë përfshirë edhe ekipe nga Shqipëri, të ndihmuar nga tetë helikopter italianë dhe një grek. Në gjendje gadishmërie për tu përfshirë në operacion janë edhe aeroplane ushtarake të tipit C-130.
Sot në mëngjes në limanin italian Bari arriti anije transportuese me 49 udhëtarë të shpëtuar nga feriboti.
Deri tani u konfirmua se nga zjarri, që shpërtheu në anije në pjesën ku gjenden automjetet, një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë janë lënduar.
Në mes të shpëtuarve gjendet një grua shtatzënë dhe dy fëmijët e saj, të cilët urgjentisht janë dërguar në spital, sepse te të gjithë është vërejtur hipotermi.
Në feribotin që ka lundurar nga porti grek Patra deri në Ankonë në bregun italian të detit Adriatik, në momentin e shpërthimit të zjarrit ka pasur 478 udhëtarë. Gati gjysma e tyre janë shtetas grek, por ka edhe udhëtarë nga dhjetëra vende tjera , prej të cilëve më së shumti 54 janë nga Turqia, 25 nga Shqipëria, 22 nga Italia, 18 nga Gjermania...
Sipas mediave, në feribotin e djegur ka pasur edhe tre shtetas të Maqedonisë.
Operacioni për shpëtimin e udhëtarëve zhvillohet në kushte të rënda, me erë të fortë dhe valë të mëdha. Dhjetëra anije tregtare të cilat kanë qenë në rajon ku tani gjendet feriboti, tentojnë të bëjnë "mbrojtje" rreth tij që ta mbrojnë nga valët.
Ministri grek i Flotës Detare, Miltijadis Varviciotis për gazetat italiane deklaroi se bëhet fjalë për "operacion të rëndë dhe të komplikuar".
Feriboti "Norman Atlantik" rregullisht lundron mes Greqisë dhe Italisë. Incidenti ka ndodhur kur anija gjendej në veriperëndim të ishullit Korfuz, afër bregut të Shqipërisë.
