Botë
Bisedimet Moskë – Kiev pa marrëveshje, kërkohet raund i ri i bisedimeve
28.02.2022 22:01
Raundi i parë i bisedimeve midis Kievit dhe Moskës përfundoi pa ndonjë informacion...

Raundi i parë i bisedimeve midis Kievit dhe Moskës përfundoi pa ndonjë informacion se është arritur ndonjë marrëveshje për armëpushim. Përfaqësuesit e dy delegacioneve thanë se ka pika të përbashkëta për të cilat mund të arrihet një marrëveshje. Thanë se do të takohen sërish në ditët në vijim, në kufirin Poloni - Bjellorusi, por deri atëherë detajet do t’i precizojnë me krerët e shteteve të tyre.
“Të dyja palët identifikuan një sërë temash prioritare për të cilat u propozuan zgjidhje të caktuara. Në mënyrë që këto zgjidhje të kenë mundësi zbatimi, ne do të shkojmë për konsultime në kryeqytete. Të dy palët diskutuan për mbajtjen e një raundi të dytë negociatash në të ardhmen e afërt, kur do të bisedohej për zhvillimin në praktikë të këtyre temave”, u shpreh këshilltari i presidentit të Ukrainës Zelenski, Mihail Podoljak.
“Kemi shqyrtuar të gjitha aspektet dhe kemi gjetur disa pika për të cilat mund të merret një qëndrim i përbashkët. Dhe që është më e rëndësishmja, ne ramë dakord për të vazhduar procesin e negociatave. Takimi i radhës do të mbahet në ditët në vijim në kufirin polako-bjellorus. Deri atëherë, çdo delegacion do të konsultohet me qeverinë e vet për të gjitha aspektet”, theksoi këshilltari i presidentit rus Putin, Vladimir Medinski.
Por derisa po zhvilloheshin bisedimet, presidenti francez Macron ka pasur bisedë telefonike me Putinin. Ka kërkuar ndërprerje të menjëhershme të zjarrit në Ukrainë por presidenti rus homolologut të tij francez ia ka thënë tre kushtet për përfundimin e konfliktit. Njohjen e sovranitetit rus mbi Krimenë, çmilitarizimin dhe denacizimin e shtetit ukrainas dhe sigurimin e statusit të tij neutral.
Në të njëjtën kohë në Kiev, Presidenti ukrainas Zelenski nënshkroi një kërkesë zyrtare për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Derisa këto negociata po zhvilloheshin, u raportua se Rusia sulmoi qytetin ukrainas, Kharkiv.
Njoftohet për dhjetëra të plagosur dhe të vrarë, për viktima të shumta civil në Marioukhov, ku ushtria ruse ka granatuar ashpër. Janë zhvilluar luftime edhe në rrugët e Kievit. Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane po shtojnë dërgesat e tyre të armëve në Ukrainë. Edhe Qeveria e RMV-së njoftoi gjithashtu se me kërkesë të Ukrainës do të dhurojë mjete dhe pajisje ushtarake.
ADNAN HAJDARI
