Botë

Beteja të ashpra në Ukrainë, vriten të paktën 70 ushtarë ukrainas

01.03.2022 09:50

Beteja të ashpra në Ukrainë. Ushtria ruse po sulmon nga disa drejtime.....

Beteja të ashpra në Ukrainë. Ushtria ruse po sulmon nga disa drejtime. Kolona me kilometra e automjeteve të blinduara ruse është përballë kryeqytetit Kiev. Forcat ruse bombarduan Sheshin e Lirisë në Kharkov. Situata më e rëndë është atje ku ka shumë të vdekur dhe të plagosur. Mes tyre ka edhe civilë. Të paktën 70 ushtarë ukrainas janë vrarë në një sulm me raketa ruse në një bazë ushtarake në Optirka. Presidenti ukrainas Zelensky vuri në dukje se në pesë ditët që nga pushtimi rus, Ukraina ishte goditur nga 170 sulme me raketa dhe akuzoi Rusinë për krime lufte dhe bëri thirrje për ndalimin e fluturimeve ruse.

“Kjo është një shkelje e të gjitha konventave. Askush në botë nuk do t'ju falë për vrasjen e popullit paqësor ukrainas. Për këtë krim do të ketë patjetër një gjykatë ndërkombëtare. E keqja e armatosur me raketa, bomba dhe artileri duhet të ndalet menjëherë dhe të shkatërrohet ekonomikisht. Duhet të tregojmë se njerëzimi di të mbrohet.”, tha Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
 
U zhvillua edhe raundi i parë i bisedimeve ndërmjet delegacioneve ruse dhe ukrainase. Asnjë marrëveshje nuk u arrit. Një raund i ri bisedimesh ishte planifikuar të zhvillohej në kufirin polako-bjellorusi.
 
“Të dyja palët identifikuan një sërë temash prioritare për të cilat u propozuan zgjidhje të  caktuara. Në mënyrë që këto zgjidhje të kenë mundësi zbatimi, ne do të shkojmë për konsultime në kryeqytete. Të dy palët diskutuan për mbajtjen e një raundi të dytë negociatash në të ardhmen e afërt, kur do të bisedohej për zhvillimin në praktikë të këtyre temave.”, tha Mihail Podoljak, këshilltar i presidentit të Ukrainës, Zelenski.
 
“Kemi shqyrtuar të gjitha aspektet dhe kemi gjetur disa pika për të cilat mund të merret një qëndrim i përbashkët. Dhe që është më e rëndësishmja, ne ramë dakord për të vazhduar procesin e negociatave. Takimi i radhës do të mbahet në ditët në vijim në kufirin polako-bjellorus. Deri atëherë, çdo delegacion do të konsultohet me qeverinë e vet për të gjitha aspektet,”. tha Vladimir Medinski, këshilltar i presidentit rus Putin. 
 
Presidenti francez Macron ka pasur bisedë telefonike me Putinin. Ka kërkuar ndërprerje të menjëhershme të zjarrit në Ukrainë por presidenti rus homolologut të tij francez ia ka thënë tre kushtet për përfundimin e konfliktit. Njohjen e sovranitetit rus mbi Krimenë, çmilitarizimin dhe denacizimin e shtetit ukrainas dhe sigurimin e statusit të tij neutral.
        
ADNAN HAJDARI