Rusia granaton televizionin në Kiev, granatohet Kharkov, humbin jetën shumë civil
Luftimet në Ukrainë shkojnë duke u ashpërsuar...

Luftimet në Ukrainë shkojnë duke u ashpërsuar edhe më shumë. Forcat ruse kanë granatuar ndërtesën kryesore të televizionit në Kiev. Minsitria e brendëshme e Ukrainës ka njoftuar se nga sulmi janë dëmtuar paisjet dhe kanalet televizive nuk do të punojnë për një kohë.
“Kiev post” në Twiter ka njoftuart se Rusia po synon ta shkatërrojë infrastrukturën e komunikimit. Në qytetin Kharkov 48 kilometra larg kufirit rus, është bombarduar qendra e qytetit dhe disa ndërtesa të banuara.
Kombet e Bashkuara kanë njoftuar për 136 civil të vrarë, në mësin e tyre edhe fëmijë. Kryetari i qytetit,Terehov ju bën thirrje banorëve që të bashkohen dhe solidarizohen.
“Kalojmë në një kohë shumë të vështirë. Dita e sotme na tregoi se kjo nuk është vetëm luftë por është vrasje. Për herë të parë në histori, qyteti Kharkov përjeton një gjë të tillë. Granatat që goditen ndërtesat e banuara, kanë vrarë dhe plagosur shumë civil të pafajshëm” – tha Kryetari i Kharkovit, Igor Terehov.
Drejt Kievit, Rusia ka nisur kolona kilometrike me automjetet e blinduara të ushtrisë ruse, të cilat janë vendosur në hyrje të kryeqendrës, thotë Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko.
“Armiku është afër kryeqendrës, janë vendosur punkte kontrolluese, i ftoj të gjithë të ruajnë kontrollin, të mos dalin pa nevojë. Të gjitha objektet e infrastrukturës kritike janë në funksion, nga ora 20:00 fillon ora policore” – u shpreh Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko.
Zëdhënësi i aviacionit ushtarak ukrainas, tha se trupat ruse pësuan humbje të mëdha nga sulmet ajrore, forcat raketore kundërajrore dhe fluturueset pa pilot. “Perandoria do të jetë e ndëshkuar për dhunën kundër njerëzimit, sidomos për ndërtesat e shkatërruara tërsisht në Brobar, Vasillkovë, Kishën e Bardhë dhe lagjen Tokmak. Për granatimin e Kharkovit, për shkollat dhe çerdhet e shkatërruara, për vrasjen dhe plagosjen e civilëve” – deklaroi Zëdhënësi i Aviacionit ushtarak ukrainas, Jurij Ignat.
Së paku 70 ushtarë ukrainas u vranë, kur forcat ruse granatuan bazat ushtarake në qytetin Okhtyrka, i cili gjendet në mes të Kharkovit dhe Kievit. Sekretari amerikan i Shtetit, Enthony Blinken, ka propozuar që Kombet e Bashkuara të shqyrtojnë mundësinë që Rusisë t'i hiqet anëtarësimi në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve, pasi "krimet" e Rusisë nga invazioni i saj në Ukrainë "rriten nga ora në orë", tha Blinken.
"Secili mund të pyetet në mënyrë të arsyeshme nëse një vend anëtar i OKB-së, që përpiqet të marr nën kontroll një anëtar tjetër të OKB-së, derisa në mënyrë të tmerrshme kryen abuzime me të drejtat e njeriut dhe shkakton vuajtje të mëdha në planin humanitarë, nëse duhet të lejohet të mbetet në këtë këshill. Nëse presidenti Putin i’a arrin qëllimit të tij për të përmbysur qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës, të drejtat e njeriut dhe krizat humanitare vetëm sa do të përkeqësohen” – theksoi Sekretari amerikan i Shtetit, Enthony Blinken.
Por nga ministria ruse e mbrojtjes edhe më tej thonë se cak i sulmeve është infrastruktura ushtarake. Ndërsa në Konferencën e Kombeve të Bashkuara në Zhenevë, për shkak të ndalesave për udhëtim, shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, me video paraqitje tha se është koha që armët nukleare amerikane të largohen nga Evropa.
“Për ne është e papranueshme që ende ka armatim nuklear amerikan në territoret e shumë vendeve evropiane, si anëtarë përgjegjës i BE-së mund t’ju bind se Rusia po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme që të parandalojë armët nukleare dhe teknologjitë tjera bashkohore në Ukrainë” – tha Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov.
Përfaqësuesit e vendeve evropiane dhe vendeve tjera që janë kundër luftës në Ukrainë e kanë lëshuar sallën e konferencës se Kombeve të Bashkuara në Zhenevë derisa po fliste Lavrov. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
