Maqedoni

Osmani, bisedë telefonike me Escobar

02.03.2022 11:36

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka zhvilluar një bisedë telefonike...

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka zhvilluar një bisedë telefonike me zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit dhe Përfaqësues Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.
 
Siç njoftojnë nga MPJ, temë diskutimi ishte invazioni i Rusisë mbi Ukrainën, me ç’rast ministri Osmani riafirmoi pozicionin e shtetit për dënim të ashpër të intervenimit ishtarak, duke bërë thirrje kështu për ndërprerjen e veprimeve ushtarake dhe tërheqjen e trupave ushtarake ruse.
 
“Osmani e rikonfirmoi mbështetjen për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, ndërsa gjatë bisedës përshëndetën ndihmën ushtarake dhe humanitare të ofruar nga të dyja palët si një shprehje solidariteti dhe mbështetjeje për popullin ukrainas. Gjatë bisedës, u përshëndet dënimi nga mbarë bota për invazionin ushtarak, me çka u vërejt se mungon reagimi adekuat nga ana e RP Kinës me gjykim të qartë për agresionin rus. Në këtë drejtim, u theksua nevoja për thirrje të përbashkët globale ndaj Rusisë për ndërprerjen e aktiviteteve ushtarake, që paraqesin rrezik për sigurinë e Evropës dhe botës në përgjithësi”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
 
Osmani njëherit falënderoi palën amerikane për mbështetjen e vazhdueshme për qëllimet strategjike të Maqedonisë së Veriut, si dhe kontributin e përgjithshëm në stabilitetin dhe zhvillimin demokratik të Ballkanit Perëndimor. Osmani gjithashtu e theksoi nevojën për një prani më të fortë të SHBA-së në rajonin tonë si një garanci e fuqishme për siguri rajonale dhe evropiane.