Rusët granatojnë edhe qytetin e Mariupol

02.03.2022 13:06

Luftime të ashpra po zhvillohen rreth qytetit ukrainas Mariupol....

Luftime të ashpra po zhvillohen rreth qytetit ukrainas Mariupol, ndërsa forcat ruse dhe separatistët pro-rusë kanë rrethuar qytetin nga tri anët, raporton CNN.

Mariupol gjendet në jug të Ukrainës. Banorët e Mariupolit gjatë natës janë përballur me granatime të rënda.

Kryebashkiaku i Mariupolit, Vadym Boychenko, ka thënë të mërkurën se numri i civilëve të lënduar po rritet çdo ditë.

“Sot ka 128 persona që gjenden në spitale. Mjekët tanë nuk po shkojnë më as në shtëpi. Po luftojnë për jetët e banorëve të Mariupolit”, ka thënë Boychenko.

Forcat ruse po shpresojnë të marrin nën kontroll Mariupolin duke siguruar një korridor tokësor që do të lidhte gadishullin e Krimesë me pjesën jugore të Rusisë.

Rusia ilegalisht aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014.