Botë

Situata në Ukrainë, vijojnë sulmet me raketa në Kharkov

02.03.2022 14:09

Disa zona të Kharkovit, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës vijojnë të jenë në shënjestër të sulmeve me raketa....

Disa zona të Kharkovit, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës vijojnë të jenë në shënjestër të sulmeve me raketa. Zjarrfikëset përpiqen të shuajnë flakët në ndërtesën e departamentit të policisë, në qendrën e spitalit ushtarak, një pjesë të Universitetit Karazin dhe në disa ndërtesa administrative. Të paktën 21 persona janë vrarë dhe 112 janë plagosur në Kharkov në 24 orët e fundit, njofton kryetari i Khrakovit, ndërsa 10 persona janë nxjerrë nga rrënojat të gjallë dhe kërkimet vazhdojnë për të mbijetuar të tjerë, njoftojnë shërbimet rajonale të urgjencës. Sulme me raketa ka patur edhe në qytetin Herson. Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se trupat e saj kanë fituar kontrollin e qytetit Herson, i cili gjendet në jug të Ukrainës. 
 
“Forcat e armatosura të federatës ruse kanë vazhduar sulmet mbi infrastrukturën ushtarake të Ukrainës. Me armë që kanë shënjestër precize, në qytetin e Kievit janë goditur kapacitetet teknologjike të shërbimit mbrojtës. Forcat tona kanë marrë nën kontroll lagjen Tokmak dhe Vasiljevka. Nën kontroll të plotë është edhe qendra rajonale  Herson. Qyteti nuk ka mungesë ushqimi dhe as mungesë të mallrave bazë.”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes ruse, Igor Konashenkov.
 
Disa orë pasi ushtria ruse paralajmëroi për sulme me precizion të lartë, raketat ruse në serinë e sulmeve në Kievë, bombarduan konzullatën e Sllovenisë në sheshin “Liria”, memorialin e Holokaustit “Babinjar dhe një maternitet. Një ditë më parë edhe kulla më e madhe televizive e kievit u godit me raketa. Ekipet emergjente sot nxorrën trupat e 5 viktimave nga rrënojat.
 
“Ata duan të shkatërrojnë mundësinë që njerëzit e Kievit të shikojnë me sytë e tyre se çfarë po bën ushtria ruse. Ata duan të fikin transmetimin e TV në Kiev, duke e bllokuar plotësisht atë dhe duke krijuar panik. Sot bashkë me ekipet emergjente në nxorrëm trupat e viktimave.”, tha Volodymir Rudenko, luftëtar vullnetar ukrainas.
 
Zelenskyy: Nuk mund të qëndroni asnjanës tani!
 
Zelensky e cilësoi duartrokitjen e një dite më parë në Parlamentin Europian, si shenjë vlerësimi për luftën 7 ditore të ukrainasve kundër agresionit rus, por kërkon më shumë mbështetje.  
 
“Zvicra neutrale ka mbështetur sanksionet e BE-së kundër oligarkëve, zyrtarëve, shtetit dhe kompanive ruse. Edhe një herë - Zvicra neutrale! Pra, çfarë presin disa vende të tjera? Koalicionit tonë kundër luftës i janë bashkuar tashmë vendet te të cilat Moska ishte duke llogaritur një javë më parë. Ky është një rezultat i jashtëzakonshëm! Nuk mund të qëndroni asnjanës tani.”, tha Volodymyr Zelenskyy, president i Ukrainës.
 
Ukrainasit ndalin rusët në Zaporizhzhia, bllokohet hyrja për në centralin bërthamor
 
Teksa forcat ruse po përparojnë në zonë qindra ukrainas kanë bllokuar rrugën hyrëse për në Zaporizhzhya, termocentralin më të madh bërthamor në Europë, pranë qytetit juglindor të Enerhodar. Për të bllokuar forcat ruse, atyre iu është dashur të përdorin edhe kamionët e mbeturinave. Ndërkohë ka patur raportime për sulme ruse në qytetin Zhytomyr, i cili gjendet 120 kilometra në perëndim të Kievit. Duke lënë të paktën 2 persona të vdekur. 
 
FARIJE DAUTI BAKIU