Maqedoni
Refleksionet e agresionit rus në “Open Ballkan”, Ramadani: Qëndrimi i Sërbisë shton rezervat
02.03.2022 16:52
Agresioni rus në Ukrainë dhe qëndrimi i Sërbisë ndaj këtij agresioni nuk pritet të ndikojë në nismën Ballkani i Hapur...

Agresioni rus në Ukrainë dhe qëndrimi i Sërbisë ndaj këtij agresioni nuk pritet të ndikojë në nismën Ballkani i Hapur. Analisti politik, njëkohësisht kryetar i Këshillit Euro-Atlantik të RMV-së, Ismet Ramadani thotë se qëndrimet e luhatshme të Sërbisë janë njohura, prandaj Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të veprojnë në sinkron me aleatët perëndimor.
“Sido që të jetë fillojnë tash rezervat, kuptohet, edhe këtu edhe në Shqipëri për qëndrimin e fundit të Vuçiqit, i cili në asnjë mënyrë nuk e kritikoi ashtu siç duhet agresionin e Rusisë në Ukrainë. Bile është e çuditshme që disa liderë evropian të cilët njohen si simpatizues dhe bashkëpunues të Putinit, e gjykuan në një mënyrë, pra e dënuan agresionin e Putinit në Ukrainë.”, tha Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euro-Atlantik të RMV-së.
Ramadani: Veprimet, në sinkron me aleatët
Sipas Ramadanit, përderisa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, janë anëtare të NATO-s dhe janë të përcaktuara qartë pro integrimit në BE, Sërbia, edhepse shtet kandidat për në BE, nuk ia del të shkëputet nga boshti lindor dhe bashkëpunimi me Rusinë. Veç kësaj, nëse edhe tre shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk bëhen pjesë e kësaj nisme, atëherë ajo duhet rishikuar, thekson Ramadani.
“Ne duhet ta mendojmë por gjithnjë duke konsultuar ata me të cilët jemi në koalicion të botës progressive ose demokratike. Dhe, nëse nuk ka ndonjë interesim që edhe këto tre shtete tjera t’i afrohen atëherë pra duhet ta mendojmë por, nuk mendoj se ne duhet të jemi të parët që duhet të veprojmë derisa nuk shohim ndonjë ndonjë rrezik.”, tha Ramadani.
Aktualisht, pjesë e nismës “Open Ballkan” janë Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Sërbia, të cilat veçmë kanë miratuar disa marrëveshje e që janë në zbatim, nga një janari I këtij viti. Liderët e tre vendeve përkatëse konsiderojnë se nisma mundësonë zbatimin e katër lirive të BE-së në nivel rajoni siç është lëvizja e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Krerët e tre vendeve respektive kanë lënë të hapur ftesën për tre shtetet e tjera të rajonit: Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën.
SHPËTIM NUREDINI
