Botë
Bie qyteti i parë në Ukrainë, shpërthime në Kiev, qindra të vdekur në Mariupol
03.03.2022 12:26
Bie qyteti i parë në Ukrainë. Kherson, nyje strategjike që mund të t’i lejojë rusëve të kontrollojnë...

Bie qyteti i parë në Ukrainë. Kherson, nyje strategjike që mund të t’i lejojë rusëve të kontrollojnë një pjesë të rëndësishme të bregut jugor në vend, duke avancuar drejt Odesës, është në duart e Moskës. Lajmin e konfirmoi kryebashkiaku i qytetit. Luftime të ashpra edhe në Mariupol. Sulmet ruse janë përqëndruar në shkatërrimin e termocentraleve dhe rrjetit të ujët të pijshëm. Qyteti është afër një katastrofe humanitare, pasi u bombardua për 15 orë rresht , të vdekurit janë me qindra.
“Rusët duan të na shkatërrojnë. Por Forcat tona të Armatosura u dhanë një reagim të përshtatshëm atyre që qëlluan në ndërtesat tona të banimit,. Fatkeqësisht, infrastruktura kritike është dëmtuar përsëri. Jemi përsëri pa drita, pa ujë, pa ngrohje.”, tha Vadym Boichenko, kryebashkiak i Mariupolit
Edhe në Kiev dhe Kharkiv vijon breshëria e raketave. Megjithatë shumë njerëz nuk duan t’i lëshojnë shtëpitë e tyre
“Nuk duhet të jetë kështu, nuk mund të jetë kështu. Njerëzit po vdesin, qytetet po digjen. Nuk është normale. Por unë nuk do të largohem nga vendi im. Unë nuk do të lëviz. As fëmijët e mi.”, tha Liliya Romanova, banore e Kievit
“Ne po përgatitemi dhe do të mbrojmë Kievin. Kiev qëndron dhe do të qëndrojë.”, tha Vitali Klitschko, kryebashkiak i Kievit
Luftëtarët e parë të huaj kanë mbërritur në Ukrainë për të ndihmuar në mbrojtjen e vendit kundër pushtimit rus. Konfirmimi erdhi nga vetë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, por pa specifikuar se nga kanë ardhur luftëtarët.
“Ukraina po mirëpret vullnetarët e huaj. Janë 16,000 luftëtarët e parë për të mbrojtur lirinë dhe jetën për të gjithë ne. Çdo ditë ne kemi gjithnjë e më shumë armë të fuqishme Ukrainasit në të gjitha rajonet e djegura nga lufta po marrin gjithçka të nevojshme. Shtabet koordinuese janë duke punuar plotësisht, ngarkesat e vërteta humanitare janë në rrugë e sipër.”, tha Volodomyr Zelensky, president i Ukrainës.
Rusia po shton përpjekjet për të thyer rezistencën ukrainase. Më herët, Moska pranoi se qindra trupa të saj ishin vrarë. Por çmimi i tmerrshëm i paguar nga civilët ukrainas po bëhet gjithashtu gjithnjë e më i lartë: rreth dy mijë thuhet se kanë vdekur tani e mbi 1 milion kanë braktisur vendin.
FLUTURA LATIFI
