Maqedoni

Kuvendi shkarkoi Zendelin nga KÇZE, Mirakoska: Duhet të kthehet pariteti

03.03.2022 15:18

Kuvendi Republikan shkarkoi deputetin Fadil Zendeli nga Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve...

Kuvendi Republikan shkarkoi deputetin Fadil Zendeli nga Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve. Shkarkimi vjen pas vendimit të Lëvizjes BESA që të kalojë në opozitë ndërkaq, ky vend në Komision u takon partive në pushtet, për të ruajtur paritetin. Sipas pushtetit Zendeli është dashur të dorëhiqet nga ky komision ashtu siç u dorëhoq nga posti i nënkryetarit të Kuvendit.  
 
“Veç asaj që parashtroi dorëheqje si nënkryetar I Kuvendit duhet të përfundojë punën dhe të jepte dorëheqje edhe si anëtar I Komisionit pasi ai është i vetëdijshëm se në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve është shumë me rëndësi, dhe kjo ndodh 30 vjet që nga pavarësimi, që të mund të pasqyrohet edhe në trupat e tjerë punues, duhet të kthehet pariteti dhe çdo koalicion pavarësisht nëse është në pushtet apo opozitë duhet të fiton aq vende sa i takon, ashtu siç nuk i konteston askush vendet e VMRO-së.”, tha Sonja Mirakoska, deputete e PRSD-së. 
 
Jarevski: Shumica vendosi të jetë arogante
 
Mirëpo opozita, për tre ditë akuzoi pushtetin se me këtë akt ka shkelur Rregulloren për punë dhe se po demostron forcë.
 
“Kishte shumë diskutime, argumente dhe fakte por shumica parlamentare nuk dëgjoi dhe vendosi të jetë arogante, të demonstrojë forcë dhe pushtet dhe, ta fusë këtë pikë në rend dite. Pikë, materialet e së cilës u dorëzuan katër minuta para seancës.”, tha Toni Jarevski, deputet i VMRO DPMNE-së.
 
Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve përbëhet prej 13 anëtarë, ndërkaq maxhoranca duhet të ketë shumicën përkatësisht 7 anëtarë përball 6 të opozitës. Fadil Zendeli u zgjodh anëtar i këtij Komisioni në kohën kur Besa ishte në pushtet. Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime është kyç për funksionimin e Kuvendit dhe të shumë institucioneve të tjera shtetërore, pasi përmes tij kalojnë të gjitha zgjedhjet dhe emërimet që janë në kompetencë të Kuvendit. Për shkak të bllokimit të punës së këtij komisioni kanë mebetur pa u zgjedhë anëtarët e trupave të disa institucioneve, përfshi edhe zgjedhjen e gjykatësve kushtetues.
 
SHPËTIM NUREDINI