Rasti “Gavriq”, suspendohen katër policë shqiptarë

29.12.2014 13:04

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion “Evropa e Lirë” se ka suspenduar me pagesë katër punonjës kufitar të Policisë së Kosovës në Jarinjë...

Në mesin e të suspenduarve janë një rreshter dhe tre policë, ndërkaq të gjithë policët e suspenduar i takojnë komunitetit serb.

Zyrtarët e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë thënë të dielën se po hetohen të gjithë zyrtarët të cilët mund të kenë bërë lëshime në vendkalimet kufitare në veri të Kosovës, prej nga thuhet se ka hyrë në Republikën e Kosovës shtetasi nga Serbia, Slobodan Gavriq.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, tha se "do të merren masa ndaj çdo zyrtari përgjegjës për lëshimet eventuale që mund të jenë bërë në këtë rast”.

Kurse sa i takon çështjes së masave të shtuara të sigurinë, ministri Hyseni theksoi se ato nuk duhet të rriten nga rasti në rast, por, siç tha ai, ato duhet të jenë permanente.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka kërkuar ngritjen e nivelit të sigurisë së përgjithshme në Kosovë dhe u ka bërë thirrje shteteve të rajonit të bashkëpunojnë kundër rasteve të dyshuara terroriste. Ajo ka thënë po ashtu se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste dhe institucionet e vendit do të bëjnë çmos që siguria kombëtare e Kosovës dhe e aleatëve të saj të ruhet dhe të garantohet.

Pas arrestimit në mbrëmjen e së enjtes të shtetasit nga Republika e Serbisë, Slobodan Gavriq, në veturën e të cilit janë gjetur 12.2 kilogramë eksploziv, Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë.