ISIS, terroristët kanë ekzekutuar 2 mijë njerëz
Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër, ka raportuar se grupi ekstremist, “Shteti Islamik” (IS), i ka ekzekutuar më se 2 mijë njerëz në Siri, prej muajit qershor, përfshirë 120 luftëtarë të jashtëm, që i ishin bashkuar këtij grupi...

Ky observator, mbrëmë vonë ka njoftuar se ka dokumentacion për ekzekutimin e afro 1200 civilëve, që ishin qëlluar me armë, ishin therë me thikë ose u ishte prerë koka nga ky grup ekstremist, prej muajit qershor.
Në raport, theksohet se “Shteti Islamik” i ka ekzekutuar 116 luftëtarë të jashtëm, që ishin përpjekur të kthehen në vendet e tyre. Katër luftëtarë të tjerë të jashtëm janë vrarë për shkak të shkeljes së kodit të grupit ekstremist, “Shtetit Islamik”.
Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara mbrëmë ka njoftuar se nga tetë sulme ajrore të koalicionit në hapësirën e qytetit Kobani, në pjesën veriore të Sirisë, janë shkatërruar 13 pozicione luftarake të “Shtetit Islamik” dhe është goditur një njësi e madhe e këtij grupi ekstremist.
