Botë
Rusia dhe Ukraina pajtohen të hapin koridore për evakuim të civilëve
03.03.2022 20:00
Kanë përfunduar bisedimet e dyta mes delegacionit të Ukrainës dhe Rusisë të mbajtur në afërsi të kufirit bjelloruso-ukrainas...

Kanë përfunduar bisedimet e dyta mes delegacionit të Ukrainës dhe Rusisë të mbajtur në afërsi të kufirit bjelloruso-ukrainas.
Kievi dhe Moska kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet dhe një raund i tretë bisedimesh është planifikuar të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur. Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord të ofrojnë një korridor humanitar për evakuimin e qytetarëve, shpërndarjen e ushqimit dhe ilaçeve, tha një këshilltar i shefit të shtabit të Zelenskit, Mikhail Podoljak. Ai tha gjithashtu se Kievi nuk ka arritur rezultate gjatë negociatave në të cilat mbështetej pala ukrainase. Ai shtoi se Ukraina dhe Rusia kishin diskutuar për një armëpushim gjatë evakuimit të qytetarëve në ato zona ku do të bëhej evakuimi.
Autoritetet ruse dhe ukrainase kanë rënë dakord të krijojnë kanale të veçanta komunikimi gjatë evakuimit të civilëve. Sipas kreut të delegacionit rus Vladimir Medinsky, në këtë takim u diskutua për tre çështje që lidhen me situatën në Ukrainë. Çështjen ushtarake, çështjen ndërkombëtare humanitare, çështja e tretë është zgjidhja politike e konfliktit në të ardhmen. Sipas Medinskyt, qëndrimi i Rusisë është i qartë dhe i është bërë i ditur delegacionit ukrainas në takim.
“Për disa pika, ne arritëm të gjenim mirëkuptim, por çështja kryesore që u zgjidh sot është çështja e shpëtimit të njerëzve, civilëve që u gjendën në zonën e përleshjeve ushtarake”, tha Medinsky.
