Botë

Kosovë, kuvendi miraton rezolutë për Ukrainën

03.03.2022 19:30

Kuvendi i Kosovës me 94 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi një rezolutë....

Kuvendi i Kosovës me 94 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi një rezolutë me të cilën e "dënon agresionin ushtarak dhe invazionin e Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe popullit të saj”. Në votim nuk morrën pjesë deputetët e listës serbe. 
 
"Kuvendi i Republikës së Kosovës e dënon në mënyrën më të ashpër të mundshme agresionin dhe invazionin e paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës si dhe përfshirjen e Bjellorusisë në këtë agresion. Kuvendi i Republikës së Kosovës renditet krahas aleatëve perëndimorë në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj, si dhe kundërshton fuqishëm qasjen dhe sjelljen e pak vendeve të rreshtuara krah agresionit dhe terrorit Rus ndaj Ukrainës, nisur nga fqinji jonë verior Serbia.  Kuvendi i Kosovës mbështet vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe politike nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndaj Federatës Ruse, në linjë me sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet demokratike.”, thuhet ndër të tjera në tekstin e rezolutës. 
 
Përfaqësuesi i listës Srpska në kuvendin e Kosovës Igor Simiq, subjekt politik ky që përfaqësohet me 10 deputet në parlament,  tha se situata në Evropën Lindore ishte e tmerrshme dhe se lufta nuk i solli askujt asgjë të mirë dhe në këtë linjë u bëri thirrje të gjithëve të tregohen të përmbajtur. Simiq tha, se të gjithë përfaqësuesit politik duhet t'i peshojnë deklaratat e tyre për të mos rrezikuar paqen. Rezoluta e miratua në praninë edhe të raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila po qëndron në Kosovë.