Botë
Forcat ruse kanë sulmuar centralin bërthamor Zhaporizhia
04.03.2022 10:30
Forcat ruse kanë sulmuar centralin bërthamor Zhaporizhia, centrali më i madh bërthamor në Evropë...

Forcat ruse kanë sulmuar centralin bërthamor Zhaporizhia, centrali më i madh bërthamor në Evropë, gjatë betejës për të vënë nën kontroll një qytet kyç për furnizimin e Ukrainës me energji elektrike.
Zjarri shpërtheu në orët e para të mëngjesit të së premtes, por ekipet ukrainase nxituan që të shuanin flakët dhe fatmirësisht nuk ka viktima.
Forcat ruse tashmë e kanë “pushtuar” centralin bërthamor. Ndërtesa administrative dhe pika e kontrollit në stacion janë nën kontrollin e pushtuesve.
“Stafi i uzinës vazhdon të punojë në njësitë e energjisë, duke siguruar funksionimin e qëndrueshëm të objekteve bërthamore”, njoftoi Energoatom, kompania e energjisë bërthamore të Ukrainës, në një deklaratë përmes Telegram të premten.
Sulmi ndodhi në orët e para të 4 marsit dhe zyrtarët në Ukrainë kanë raportuar se forcat ruse kanë bombarduar një termocentral bërthamor në Zaporizhia të Ukrainës. Presidenti Zelensky u bëri thirrje liderëve botërorë të ndalojnë rusët para se kjo të kthehet në fatkeqësi bërthamore.
Disa nga udhëheqësit botërorë kanë dënuar ashpër sulmin e Rusisë në centralin bërthamor. Sipas tyre, Rusia po rrezikon sigurinë e një kontinenti të tërë me sulmin që forcat e saj bënë në një termocentral bërthamor dhe ndezën një zjarr aty. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Jonson tha se sulmi “i pamatur” i Rusisë mund të kërcënojë drejtpërdrejt sigurinë e të gjithë Evropës. Presidenti i SHBA Joe Biden i kërkoi Moskës të ndalojë aktivitetet e saj ushtarake rreth zonës, ndërsa kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se sulmet e tmerrshme nga Rusia duhet të ndalojnë menjëherë.
MERITA GASHI
