Botë

Agresioni ushtarak rus në Ukrainë, takim i jashtëzakonshëm i ministrave të NATO-s

04.03.2022 10:58

Ndërkohë që forcat ruse përparojnë në Ukrainë, një takim i jashtëzakonshëm i Ministrave të Punëve të Jashtme...

Ndërkohë që forcat ruse përparojnë në Ukrainë, një takim i jashtëzakonshëm i Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s, zhvillohet në selinë e NATO-s në Bruksel.
 
Ministrat e vendeve aleate pritet të diskutojnë mbi pasojat e agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës duke konfirmuar se vendet e NATO-s vijojnë të reagojnë plotësisht të bashkuar dhe në unison ndaj krizës më të madhe të sigurisë në Evropë që prej dekadash. Në takimin e kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, marrin pjesë edhe Finlanda dhe Suedia, vende partnerë operacionalë të NATO-s, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell. Ne kete takim  merr pjese edhe shefi I diplomacisë së Maqedonisë së veriut Bujar Osmani. Osmani, para takimit shprehu mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën.
 
Zgjerimi i BE-së tani po bëhet një çështje jetike nga pikëpamja e sigurisë duke pasur parasysh sulmet ruse në lindje.
 
BE-ja duhet të përshpejtojë zgjerimin drejt Lindjes, tha Osmani, duke aluduar për bllokadën ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, në kuadër të aplikimit për anëtarësim të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Kjo krizë, tha ai, ka treguar se politika e zgjerimit është çështje sigurie. I pyetur për aspiratat e Ukrainës për t'u bërë anëtare e NATO-s, thelbi i konfliktit me Rusinë, ministri i Jashtëm tha se politika e dyerve të hapura të Aleancës do të thotë stabilizim.
 
“Në Ballkanin Perëndimor anëtarësimi në NATO ishte vendimi më i rëndësishëm që e stabilizoi atë, është faktori më i rëndësishëm për stabilizimin e rajonit”, u përgjigj Osmani. “Ukraina nuk është vetëm”, u tha Osmani ukrainasve.