Maqedoni

Rasti "Monstra", anulohet gjykimi në Apel

04.03.2022 12:08

U anulua për sot gjykimi i shumëpritur për rastin “Monstra” në gjykatën e Apelit....

U anulua për sot gjykimi i shumëpritur për rastin “Monstra” në gjykatën e Apelit. Shkak për anulimin është mungesa e avokatit mbrojtës Naser Raufit dhe mos sjellja e të akuzuarit Fejzi Azirit nga burgu i Idrizovës në seancë gjyqësore. Mbrojtja kërkon rigjykim të lëndës duke respektuar sugjerimet dhe udhëzimet e Gjykatës Supreme që janë dhënë më herët.
 
“Ne presim që lënda të anulohet dhe të kthehet në rigjykim. Është e rëndësishme të potencohet vendimi i Gjykatës Supreme në RMV, ku janë të gjitha sugjerimet dhe udhëzimet për lëndën. Vlerësojmë se Gjykata Penale nuk ka vepruar siç është kërkuar nga Supremja.”, tha Asmir Alispahiq, avokat i të akuzuarve.
 
Familjarët nuk kërkojnë kthimin e lëndës në rigjykim por lirimin e të akuzuarve si të pafajshëm.
 
“Ne presim jo rikthimin në gjykim por presim lirimin e të akuzuarve sepse mendojmë se janë të pafajshëm, këtë e vërtetojnë edhe faktet. Instutucionet gjithmonë kanë bërë shkelje procedurale dhe gjithçka që kanë mundur të manipulojnë.”, tha Bedri Ajdari, familjarë i të akuzuarve.
 
Nga ana tjetër  mbrojtja e palës së dëmtuar kërkon vërtetimin e dënimit të shkallës së parë edhe pse pranon që në rigjykimin paraprak nuk kishte as një dëshmi të re relevante nga bombat. Kërkoi që rasti sa më shpejtë të mbyllet, pasi kanë kaluar rreth 10 vite nga njgarja tragjike.
 
“Vlersoj se gjykata e Apelit duhet ta vërtetojë vendimin e shkallës së parë sepse në të njejtin ka mjaft arsye të argumentuara, të bazuara në fakte të vërtetuara me dëshmi relevante, në bazë të eksperizave dhe shumë dëshmive tjera verbale dhe materiale. Vlerësoj se ankesat e të akuzarve duhet të refuzohen si të pabaza. Edhe ju dëgjuat se nga ato bomba nuk u vërteta asgjë tjetër, asgjë tjetër por vetëm të gjitha faktet e gjykatës së shkallës së parë.”, tha Dafinka Ivanova, avokate e palës së dëmtuar.
 
Gjykata e Apelit për shkaqe të panjohura ka refuzuar që i akuzuari Afrim Ismailoviq të ketë avokat mbrojtës të angazhuar nga familja e tij, por që të njejtit i është lënë të mbrohet me avokat të angazhuar sipas detyrës zyrtare. Për rastin "Monstra" akuzohen 5 persona, ndërsa 3 prej tyre u janë shqiptuar dënime me burg të përjetshem. Seansa e radhës për rastin "Monstra" pranë gjykatës së Aleit është caktuar më 18 mars.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI